Nëse një foto flet sa 1 mijë fjalë, po një video e shkurtër e takimit të Ramës me Cipras, sa tregon vallë? Në këto pamje që qarkulluan sot, nuk ka shumë zë, dhe nuk kuptohet qartë se për çfarë po flasin dy kryeministrat. Po ama, lehtësisht dallohet një pamje dhe një mënyrë qendrimi krejt e ndryshme e kryeministrit tonë.
Nuk është ai Edi Rama stoik, arrogant dhe që tregon muskujt (policinë, prokurorinë, tatimet, çdo inspektoriat e instrument force dhe represioni) ndaj kundërshtarëve, ndaj gazetarëve kadrinj, ndaj banorëve të pamundur e të lodhur, si ata të Bregut të Lumit, apo të Astirit.
Rama në këtë takim, ka një pamje krejt tjetër. Duket i mundur, inferior, dhe yes-man. Po si shpjegohet që ky që nuk llogarit askënd mbi dhe në vendin e tij, del kaq delikat dhe vulnerabël para kryeministrit të një vendi fqinj?
Sigurisht, duhet pranuar se loja nuk është e barabartë. Greqia është një vend anëtar në BE, dhe deri vonë ka treguar se ushtron të drejtën e vetos, pra po të dojë i bllokon vendet e rajonit. Siç bëri me Maqedoninë në NATO, për vite të tëra. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që lideri ynë të tregojë shenja dobësie para udhëheqësit grek. Kjo ka ndodhur, dhe rëndshëm, dhe kjo video e tregon qartë.
Një Edi Ramë i përulur, modest e tokësor, është sigurisht më i mirë se një Edi Ramë arrogant, shtypës e autoritar. Problemi është se këtë të dytin, po e shohim çdo ditë dhe të dëmshëm, e më e keqja është se të jetë i tillë, është bash zgjedhja që ka bërë. Ramën me dobësi njerëzore, rrallë e kemi parë. Me gjasë ai njeh vetëm gjuhën e forcës. Këtë soj, e kemi shquar pas protestës së fortë të kuksianëve, fjala vjen. Dhe e pamë edhe sot përpara kryeministrit grek. Në rastin e protestës së fortë për taksën e Rrugës së Kombit, prapësimi, tërheqja, pra dobësia dhe përulësia e Ramës nuk solli asnjë të keqe, përkundrazi, banorët përfituan me të drejtë uljen e tarifës për ata që jetojnë në atë Qark. Po ulja para kryeministrit grek, nuk dihet se sa e dobishme mund të jetë. Më vonë mund ta marrim vesh.
Video:
Diskutime rreth kësaj post