Nga Drini Kuqo*
Ndërprerja e fushatës, 10 ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme, për një foto me Trump flet shumë për strategjinë e komunikimit të zgjedhur nga Lulzim Basha. i braktisur nga të gjithë ndërkombëtarët me radhë gjatë tre muajve të ngujimit në çadër, fotoja i shërben propagandës së Bashës, duke krijuar iluzionin e një marrëdhënie të privilegjuar midis tij dhe Presidentit Trump.
Megjithatë, që në pamje të parë, ka diçka që nuk shkon. Përtej buzëqeshjes protokollare të të dyve, një sy i vëmendshëm sheh që pas tyre, shfaqet një sfond i zymtë, një perde e rëndomtë blu, në të cilën nuk qëndron asnjë simbol kombëtar, asnjë shenjë që të tregojë për rëndësinë e këtij takimi.
Nëse Presidenti Trump do të donte të takonte Bashën për “qëllimet strategjike” që lideri i PD-së do të përpiqet të bëjë të besojë, a nuk do ta ftonte ai Bashën në Shtëpinë e Bardhë? Përse do të duhej që presidenti Trump të takonte Bashën në analet e një takimi me disa biznesmenë, ku në këmbim të një bilete 20 mijë dollarëshe, të gjithë mund të pozonin me Presidentin?
E vërteta është se Basha takoi Trump si biznesmen dhe sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, ai nuk ka qenë as i informuar se kush ishte interlokutori i tij.
Basha do të përpiqet të ilustrojë këtë takim si një shfaqje të mbështetjes së administratës së re amerikane për Partinë Demokratike, por le të ndalemi pak tek ky fakt. Me mënyrat e tij, Trump ka treguar se është gjithçka, përveçse një diplomat i sofistikuar dhe i pajisur me taktin që karakterizon këtë zanat.
Nëse do të ishim duke dëshmuar një ndryshim të politikës amerikane në Shqipëri, Trump me shumë gjasa do t’i ishte shmangur takimit miqësor me Ramën, pak javë më parë në NATO, e nëse do të donte të shihte një ndryshim qeverie në këtë vend, do të kishte ftuar zyrtarisht, e jo në analet e një forumi biznesi, Bashën në Uashington.
E gjithë kjo histori, ka edhe një tjetër element, të nisur që me vizitën e Bashës në Uashington, në ditën e inagurimit të Presidentit Trump, ku përsëri ai siguroi një pjesëmarrje mes turmës falë blerjes së një bilete të zakonshme. Edhe atëherë, Basha tentoi të siguronte një foto përkrah Trump, duke dështuar në misionin e tij.
Kanë kaluar gjashtë muaj, në të cilat makina e propagandës dhe lobistët e paguar në Uashington kanë punuar për të siguruar këtë foto. Më në fund, u sajua një motiv për të realizuar këtë shkrepje, por pavarësisht kësaj, mbetet i pandryshuar fakti se Basha, pavarësisht vizitave të tij, asnjëherë nuk ka shkuar në Uashington si i ftuar nga dikush.
Diskutime rreth kësaj post