Dy efektivë policie me detyrë në aeroportin e Rinasit janë vënë në pranga ditën e sotme, pasi dyshohet se i kanë marrë ryshfet një udhëtareje.
APM njofton se në pranga kanë rënë dy efektivët, 31 vjeçari me iniciale A.D., dhe 24 vjeçari me iniciale, E.B., me detyrë Kontrollorë në Komisariatin e Policisë Rinas.
Ata akuzohen se kanë kërkuar dhe përfituar vlera monetare në formë rryshfeti, nga një shtetase që udhëtonte në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka kryer arrestimin në flagrancë të dy punonjësve të Policisë në Komisariatin e Policisë Rinas, të dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Ata janë:
– Inspektor A.D., 31 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Aeroporti Rinas;
– Inspektor E.B., 24 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Rinas.
Arrestimi u krye pasi gjatë veprimeve hetimore procedurale, të kryera për verifikimin e informacioneve mbi përfshirjen në veprime korruptive, u krijuan dyshime të arsyeshme, bazuar në prova se punonjësit e policisë, duke shfrytëzuar funksionin organik, kanë kërkuar dhe përfituar vlera monetare në formë rryshfeti, nga një shtetase që udhëtonte në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Vijon puna për evidentimin e personave apo punonjësve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si edhe nëse ka raste të ngjashme.
Diskutime rreth kësaj post