Deputeti Ervin Salianji ka lexuar sot në Kuvend mesazhin e dhënë ditën e sotme nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ndërsa iu drejtua mazhorancës duke i thënë se përse nuk i bënë jehonë kësaj deklarate.
“Pse nuk i bëtë sot jehonë kësaj, kujt i drejtohet? Pse nuk i bëni thirrje SPAK, se PD ka bërë disa kallëzime, ka një përgjigje për miliona euro në tre institucione që menaxhojnë të gjithë sistemin energjetik apo jo? ku shkojnë paratë për inceneratorët? A ka hetime për korrupsionin e madh që po ndodh me rrugët në këtë vend? Për këto flasim ne dhe për këto duhet të dilni dhe ju por nuk e bëni dot se jeni të zhytur deri në fund”, tha Salianji.
Ndërkohë më herët, ambasadorja Kim, duke folur për sistemin e drejtësisë, tha ndër të tjera:
“Siç e themi shpesh, reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po ecën përpara dhe po fillon të japë rezultate reale. Ata që e kundërshtojnë këtë ecje përpara, ata që nuk do të donin rezultate të prekshme, po i dyfishojnë përpjekjet e tyre. Ata do të donin ta tërhiqnin zvarrë Shqipërinë në të kaluarën, në një kohë kur gjyqtarët dhe prokurorët mund të bliheshin, apo kërcënoheshin, në një kohë kur qytetarët e zakonshëm shqiptarë nuk e besonin se mund të ekzistonte drejtësia në gjykatë, se ata mund të kishin pushtetin, paratë, apo lidhjet për të ndërtuar një jetë për veten e tyre në këtë vend, për veten dhe fëmijët e tyre. Për një kohë të gjatë, mënyrat e vjetra kanë ngulmuar. Prandaj, të gjithëve ju, juve që doni të zvarritni Shqipërinë prapa në të kaluarën, ta zvarritni atë me shkelma e ulërima, me njerëzit që vuajnë, juve them: Ndalni. Ndalni. Kohës tuaj i ka ardhur fundi. Koha e të bërit telefonata, e të dërguarit emisarë, e të dërguarit dhurata, e kërcënimeve për të zbuluar sekrete të errta nga një e kaluar e shëmtuar, e premtimit të dhuratave, të cilat nëse pranoheshin, hidhnin bazat për një tjetër sekret të errët, për një tjetër të ardhme të errët. Ajo kohë ka marrë fund. Ju i shijuat privilegjet tuaja, ju e shijuat imunitetin tuaj, i mbushët xhepat tuaj, i mbushët xhepat e fëmijëve tuaj, të miqve tuaj! Ndalni, ka marrë fund! Koha juaj ka marrë fund!”, u shpreh ambasadorja Kim.
Diskutime rreth kësaj post