Ilirjan Hoti, një nga të mbijetuarit e aksidentit në Kroaci shprehet se deri në momentin e aksidentit tragjik çdo gjë po shkonte shumë bukur, madje disa nga personat që humbën jetën po kërcenin e po dëfrenin nga gëzimi i madh.
Ilirjan Hoti, nga Tropoja thotë për Report Tv, se ai ishte ulur në vendin e parë dhe se në momentin kur ka ndodhi aksidenti, ka qenë duke fjetur dhe se ka përfunduar jashtë autobusit, por nuk e di se në çfarë mënyrë. Në ato momente, rrëfen më tej ai, ka thyer xhamat e autobusit dhe është përpjekur që të shpëtojë sa më shumë jetë.
Hoti tha se 9 nga viktimat kanë qenë në katin e parë të autobusit, ndërkohë që vetëm një grua ka humbur jetën në katin e dyte. Sipas tij të gjithë pasagjerët kanë ndërruar jetë në vend në momentin e aksidentit.
‘Jam i mërzitur i shqetësuar për ato që humbën jetën jemi të plagosur 40 e ca persona, unë nuk jam aq keq e kam kaluar rrezikun. Kam marrë disa plagë të lehta të kalueshme. Udhëtimi nga Franfurtit ka qenë i mirë, deri në aksidenti tragjik ato që kanë të vdekur kanë bërë edhe disa video duke kënduar e kërcyer një gëzim shumë i madh. Kemi ardhur shumë mirë deri në atë moment fatal për jetën e atyre e personave dhe për të plagosurit.
Në momentet e fundit që jam gjendur jashtë autobusit kam qenë në vend të parë i shtrirë dhe kam qenë duke fjetur dhe kam dal jashtë nuk e di se në çfarë mënyrë sapo kam dalë jashtë kam thyer xhamat e sipërme që të dalin udhëtarët që ishin në katin e dytë. Kam thyer xhamin e parë, që të shpëtoja sa më shumë njerëz. Të gjithë kanë qenë në katin e parë dhe vetëm një grua ka qenë në katin e dytë. Ato që kemi nxjerrë nga bus nuk ka vdekur asnjë njeri, ndërkohë të vdekurit kanë ndërruar jetë në vend sepse ishin zënë poshtë.’, tha Hoti.
Më tej ai thotë se linja me të cilën udhëtonte ishte shumë korrekte, dhe se të dy shoferët ishin shumë të mirë.
‘Unë i kam njohur të dy shoferët dhe ishte kënaqësi të udhëtoja me ta. Kanë qenë ndër shoferët më të mirë. Ka qenë e gjitha momentale.’, tha ai.
Hoti tha se momentalisht janë dy pacientë në gjendje të rëndë.
‘Momentalisht janë dy pacientë që janë në gjendje më të rëndë, por lutem që të shërohen edhe ato. Unë pres vendimin e mjekëve, se kur do të dal nga spitali.’, tha Hoti.
Diskutime rreth kësaj post