Një i ri është arrestuar ditën e sotme pasi ka tentuar të korruptojë një punonjëse policie në aerportin e Rinasit. 18 vjeçari me inicialet J.R nuk mund të dilte nga Shqipëria për shkak se ishte në mes të personave që nuk plotësonin kriteret për të lëvizur në hapësirën Schengen.
Sipas informacioneve nga Policia, kur të riut i është refuzuar dalja nga Shqipëria ai ka tentuar që të korruptojë policen me 50 euro.
18-vjeçari ishte nisur drejt shtetit të Belgjikës, siç edhe kishte prerë biletën e udhëtimit, në kundërshtim me rregullat për udhëtimin në hapësirën Schengen.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare e Rinasit, masa të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Arrestohet një shtetas i cili tentoi të korruptojë punonjësen e Policisë Kufitare Rinas, me 50 Euro për të kaluar në hapësirën Schengen.
Në drejtim të parandalimit të azilkërkimit, u është refuzuar dalja 88 shtetasve të cilët nuk plotësonin kriteret për të lëvizur në hapësirën Schengen.
Gjatë dy javëve të fundit në Rinas nga Policia Kufitare janë kapur 4 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale për llogari të DVP-ve.
Janë proceduar penalisht 6 shtetas me dokumente të falsifikuara, 12 shtetas të proceduar për kalim të paligjshëm kufiri, 1 shtetas për mosdeklarim të hollash në kufi 1 rast, si dhe janë përpunuar në hyrje dhe dalje 74 759 shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 të Kodit Penal, shtetasi: J. R.,18 vjeç, lindur në Burrel-Mat.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se shtetasi J. R., pasi i është refuzuar dalja nga Republika e Shqipërisë nga punonjësit e PKK Rinas, ka shkuar sërish të sportelet e daljes dhe ka tentuar të korruptojë punonjësen e Policisë Kufitare të planizuar me shërbim në këto sportele, me një shumë prej 50 euro, me qëllim që punonjësja e policisë ta lejonte shtetasin J.R. të kalonte kufirin në drejtim të shtetit të Belgjikës, siç edhe kishte prerë biletën e udhëtimit, në kundërshtim me rregullat për udhëtimin në hapësirën Schengen.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Diskutime rreth kësaj post