Dalin detaje të reja lidhur me arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e Mario Majollarit, Kastriot Gjuzi i arrestuar në Kosovë.
Arrestimi i tij u bë në orët e para të së enjtes, në kufirin e gjelbër të territorit të Kosovës, ku më tej u depërtua në Shqipëri.
Por pavarësisht tentativave për t’u marrë në pyetje, ai nuk ka pranuar që të flasë, përveçse ka dhënë emrin e tij.
Nga ana e policisë së Tiranës, janë shpallur në kërkim edhe disa persona, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Gjuzit në vrasje dhe arrati.
Kastriot Gjuzi, është i dyshuar si autor të vrasjes së Mario Majollarit më 10 prill 2018 në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.
40-vjeçari me qëllim shmangien e hetimeve ndaj tij kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin jeshil në Republikën e Kosovës, ku dhe u kap nga Departamenti i Policisë Kufitare të Kosovës.
Ai akuzohet për veprat penale të “Vrasjes për gjakmarrje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Gjuzi akuzohet se e ka vrarë 28-vjeçarin për hakmarrje, pasi babai i viktimës Avni Majollari ka vrarë dy persona në vitin 2000.
Një nga viktimat e ngjarjes së vitit 2000 ka qenë edhe Ilir Gjuzi, vëllai i Kastriot Gjuzit.
Nga hetimet e policisë, ka rezultuar se Kastriot Gjuzi i është vënë në ndjekje të riut dhe në një rrugicë të errët, pranë banesës ku jetonte bashkë me motrën dhe të ëmën në zonën e ish-Kinostudios, e ka qëlluar për vdekje me tre plumba.
Mario Majollari prej kohësh ndihej i kërcënuar për krimin që babai i tij kishte kryer, ndaj dhe për këtë kishte vendosur para tre vitesh të shkonte drejt Suedisë për të kërkuar azil.
Ai ishte larguar nga Shqipëria në vitin 2015 për të kërkuar azil në Suedi, pasi pretendonte se ishte kërcënuar për hakmarrje, për shkak të vrasjes së dy personave nga i ati.
Rezulton se i ndjeri nuk ka precedentë penalë dhe fqinjët flasin për një njeri të qetë dhe aspak problematik.
Madje ai ishte rritur larg të atit, për shkak të divorcit mes prindërve të tij, ndarje e ndodhur kur ai ishte vetëm 3 vjeç.
Babai i 28-vjeçarit, Avni Majollari, u arrestua në mars të vitit 2014, ndërsa për vite me radhë kishte jetuar në arrati.
Diskutime rreth kësaj post