Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka dalë në një deklaratë për mediat, në lidhje me incidentin që ka ndodhur dy ditë më parë në uzinën e Gramshit. Tre të huaj tentuan të futen në uzinë, ndërsa janë në hetim për spiunazh. Në deklaratën e Çuçit përsëritej se të huajt kanë fotografuar objekte të deklasifikuara. Ministri tha se nuk mund t’i vihet agjent nga pas çdo turisti, por masat nisin në momentin që ata shkelin ligjet.
“Ka hetime, kemi një akuzë nga prokuroria, është një as s’e kemi nënvlerësuar, po hetojmë të gjitha faktet. Shtetasit e huaj për nga mënyra si kanë vepruar, dhe pajisjet që kishin me vete dhe mbi të gjitha për shkak të mënyrë se si kanë vepruar ndaj ushtarëve që ishin në ruajtje të objektit, këta persona janë marrë nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit. Unë mendoj që për çdo të dhënë tjetër në lidhje me këta tre persona t’ia lemë hetimit ta zbërthejë deri në fund skemën, dhe gjatë ditëve në vijim, elementë të rinj që do të dalin do të komunikojmë me publikun për të dhënë gjithë panoramën e situatës. Pa diskutim, ka sot në botë shumë turistë aventurierë që e kanë si qëllim këtë lloj turizmi, për të fotografuar objekte të një karakteri të veçantë, dhe Europa Lindore bën pjesë me këto uzina të vjetra, ne e dimë shumë mirë këtë ndaj do të hetohet për të sqaruar deri në fund këtë ngjarje. Objekti është i deklasifikuar, nuk përbën sekret shtetëror, ne po hetojmë qëllimin e këtyre personave.”, tha Çuçi.
Diskutime rreth kësaj post