“Kalimi im te Mainz ka qenë një dështim, nuk e mendova gjatë, ëndërr ishte të luaja në Gjermani”, ka deklaruar mesfushori i kombëtares kuqezi Jahmir Hyka për mikrofonin e Supersport. Duke folur për karrierën e tij, Hyka një prej lojtarëve të paktë shqiptarë që ka provuar të luaj në një kontinent tjetër si Amerika, tregon se ka një ndryshim nga futbolli në Europë.
“Në Amerikë ka qenë një vit i bukur, për skuadrën dhe për mua personalisht. San Jose është një skuadër e mirë. Dhe kampionati është cilësor, nuk e prisja atë nivel. Nga ana personale arrita të ndihem mirë, kam mundësi për më mirë. Ka një ndryshim futbolli me atë në europë, kanë mangësi taktike, por fizikisht dhe teknikisht është cilësor. Kampionati po rritet shumë edhe me ardhjen e shumë futbollistëve. Për të ardhur keq që Amerika nuk arriti të kualifikohet në Kupën e Botës”, u shpreh Hyka, që luan në Major League Soccer.
Ndërsa flet për të ardhmen e tij, Hyka thekson se është në kulmin e karrierës e për këtë e ndjen veten si kandidat për të qenë pjesë e formacionit që do të përzgjedhë Pannuci.
“Jam në kulmin e karrierës, është trajneri Panucci që bën zgjedhjet. E ndjej veten në formën më të mirë dhe e konsideroj veten si kandidat për një vend në kombëtare”, theksoi Hyka.
Më tej Hyka ka shprehur keqardhje edhe për largimin nga futbolli i luajtur të një emri të madh si Kaka, i cili ka luajtur gjithashtu në Major League Soccer.
“Jam tifoz i Milanit dhe me erdhi keq sot Kaka që ai u largua nga futbolli. Kam luajtur kundër Kaka, me shumë cilësi, por pa atë fuqinë e madhe”, tregon mesfushori i kombëtares kuqezi.
Diskutime rreth kësaj post