Importet e larta të energjisë, vitin e kaluar, e kanë çuar rezultatin financiar të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë me humbje për vitin 2017.
Sipas një raporti të dërguar në Entin Rregullator të Energjisë, OSHEE pret një humbje prej 559 milionë lekë ose 4 milionë euro.
OSHEE shpjegon se kushtet e thatësirës së zgjatur, e cila rriti ndjeshëm kostot e blerjes së energjisë, për vitin 2017 kanë krijuar humbje, teksa më 2016 kompania realizoi fitim prej 137 milionë eurosh (18.7 milionë lekë).
Sipas sqarimeve të OSHEE-së, shpenzimet për blerje dhe transmetim energjie rezultuan 52% ose 13.3 miliardë lekë më shume se 2016. Si rezultat i thatësirës së zgjatur, prodhimi dhe furnizimi me energji nga KESH me çmim të rregulluar 1.45 lekë/kwh u ul ndjeshëm duke detyruar shoqërinë të blejë energji në tregun e importit, i cili rriti gjithashtu ndjeshëm çmimin e energjisë në një mesatare prej rreth 9.07 lekë/Kwh në krahasim me 6.4 lekë/Kwh që u parashikua në buxhetin e vitit 2017.
Kosto e energjisë së blerë për tariforet, për shkak të mosfurnizimit nga KESH, pritet të ketë një efekt prej rreth 4.2 miliardë lekësh më shumë.
Të Ardhurat nga Shitja e Energjisë pritet të rezultojnë 4% më të larta ose 2.3 miliardë lekë më shumë, kushtet e thatësirës dhe verës së nxehtë rritën ndjeshëm përdorimin e energjisë elektrike, raporton “Monitor”.
Masat e marra në aksionin kundër lidhjeve të paligjshme dhe në përmirësimin e arkëtimeve kanë përmirësuar ndjeshëm marrëdhënien e OSHEE me klientët, duke rritur ndjeshëm arkëtimet, thekson raporti. Rritja e pagesave në afat si dhe politikat e ristrukturimit të detyrimeve kanë sjellë uljen e të ardhurave nga kamatëvonesat. Të ardhurat nga kamatëvonesat janë ulur 33% në krahasim me vitin 2016 ose 561 milionë lekë me pak.
Shpenzimet operative për 2017 pritet të jenë 1% më pak se sa ato të 2016 dhe 11% më pak se ato të buxhetuara si pasojë e menaxhimit të kujdesshëm dhe kursimit të vazhdueshëm.
Arkëtimet pritet të jenë sa 97% e vlerës së faturuar, e cila është 4% më e lartë se parashikimi në buxhet si dhe në Planin e Rimëkëmbjes prej 93%.
Ulja e ndjeshme e shpenzimeve financiare lidhet kryesisht me ndryshime në normat e këmbimit për kreditë e trashëguara në monedha të ndryshme.
OSHEE, gjatë 2017-s, pagoi brenda afateve këstin e radhës ndaj CEZ që në total ishte në vlerën e 21 milionë euro.
Diskutime rreth kësaj post