Pas Çlirim Pekës, që iu bënte apel ish-drejtorëve në kohën e Sali Berishës të vriteshin për të ardhur sërish në pushtet, një tjetër gazetar pranë Berishës bën thirrje për vrasje.
Këtë radhë është Basir Çollaku.
Ndryshe nga Çlirim Peka, që e kishte të drejtpërdrejtë apelin për ata që duhet të vriten për të ardhur Berisha në pushtet, ky e ka më letrare thirrjen për vrasje.
Postimi i Çollakut:
“Shumë karrikezënës në Kuvend, mendojnë se janë politikanë. Nuk janë hiç më shumë se ca rrogtarë, ca zarfaxhinj, blerës vendesh liste fituese nëpër parti, ca të tjerë qokaxhinj shërbimesh te fshehta, te qoftëlargut dhe te huaja, diku më tej emra të Mafias.
Nuk mungojnë të dërguar biznesesh, e në teprofshin vende, përfshihet dhe ndonjë i hajrit, sa për të trullosur turmën votuese, me akademikllëk, apo zotnillëk. Rrethi i pushteteve në kurriz të shtetit, kontrollohet me detaje pa i lënë bakshish rastësisë.
Ngrefosur me patriotizma mllefe, kodosllëqe zyrash, nënshtrojnë ditë pas dite skllevër industrialë. Elita e rreme e vendit sot, ka kaluar përmes parasë pa u merakosur për ngjyrën e saj, apo dorëdhënësin.
Shumë deputetë, qeveritarê politikanë, zyrtarë drejtues postesh me peshë administrate, kanë më shumë frikë se mund të shpëtojnë e mbijetojnë po u prekën nga libri, se sa nga Covidi.
Zuzarllëku është si magnet zëvëndësues shkollimi apo doktorature, ku me një dorë kokainë, një kobure-shkrehur bëhet Ai, shpërndarës favoresh, zaptues shërbimesh.
Partitë po hollohen nga gjaku, anemia e përfaqësimit po i zë përfund.
Sot fundi ka prekur fundin.
Rama mbret lakuriqësisht i zi i paligjshmërisë, sundues edhe i qindarkave, ka zhbërë pluralizmin, tregun, konkurencën, sistemin, lirinë e fjalës, përkohësisht edhe opozitën.
Nga ferri nuk ka shenja lumturie, as nga parajsa nishane tmerri, ku shqiptarët të kenë një mundësi të zgjedhin.
Humnera po e tërheq shpejt dhe keqas shoqërinë tonë drejt vetes, duke i fikur zërin, pamundësuar reagimin, shkëmoqur shtyllën e kurrizit.
Sot përbindëshi shet komedi. Mediet janë më të çoroditura se minjtë gjatë tërmetit, e të rreshtuara si vuvuzelat e Afrikës nëpër stadiume.
Pagatorë fjalësh mbushin lugët e teksteve në xhepat e qeverisê dhe turren mbi opozitën si eunukë, hera herës edhe si hiena. Në rehatinë e parasë së dhuruar bilbilat rriten si këndonjës partie.
Kreu i qeverisë, KM, është çmendur, por shërbëtorët i shtohen po aq çmendurisht. Prokurorë e gjykatës fatkeqësisht rrinë në rradhë për tu “bekuar” e vendosur sinkronë me humorin e tij.
Njëlloj dylberizimi institucional shkatërrues. Ka jo pak deputetë të opozitës tek furnizohen me parime ditën, e i kurvërojnë natën me klientin ngrohës xhepash. Shqiptarët e ikur jashtë emigrantë, ofrojnë pagjumësi meraku, remitanca e votë episodike ndonjëherë, duke shpresuar se dikush i llogarit si vullnet.
Zgjedhjet nuk bëhen.
Si mund të rreket të prodhojë njerëz të lirë një vend si ne, kur në një vit si motin e shkuar, qarkullojnë 8 miliardë euro informale, afro dyfishi buxhetit dhe kjo ështe kollajllëk blerje bagëtish dykëmbëshe.
Fajin e gjeni gjithnjë te Saliu por jo këtë herë. Po kthehemi në kurban të llaçit e betonit, krimit e vrasjes, duke pritur diktatorët të ndërrojnë njeri-tjetrin.
Sot opozitë duhet të jetë e gjithë shoqëria.
Përtej partive
Përtej kompanive
Përtej trastave të tagjive
Përtej krushqive
Përtej numrave të llogarive
Përtej ndasive
Përtej mërive
Përtej marrëzive
Përtej tapive
Përtej ofiqeve
Përtej spiunlliqeve
Përtej legenlliqeve
Përtej rreziqeve
Përtej sehirxhinjve
Përtej të sotmes për të ekzistuar nesër, duke refuzuar me reagim kthimin në Diktaturë me lejen e langove të huaj. Gladiatorët nuk bëhen perandorë pa prekur shpatë me dorë…
Gjeniu Fushe, i thotë diku motrës së Bonapartit. Madhëri, për ta shpëtuar perandorin, duhet ta vrasim. Dhe ne për të shpëtuar Shqipërinë nesër, duhet të vrasim Shqipërinë e sotme…”-shkruan gazetari.
Diskutime rreth kësaj post