Nga arkivat e Moskës, kanë dalë dokumentet origjinale të cilat përligjin atë që historianët e dyshonin prej kohesh: sulmi i Hitlerit i zuri rusët në befasi sepse deri në fund, ata menduan se ishte i gjithi një bllof!
Në orët vendimtare përpara mësymjes gjermane të 22 qershorit 1941, të njohur ndryshe si operacioni Barbarosa, komanda e lartë sovjetike i kishte dërguar trupave mesazhe kontradiktore.
Ushtarët urdhëroheshin të qëndronin në gatishmëri, por të mos i përgjigjeshin provokimeve. Edhe kur tre milionë gjermanë sulmuan në 04:00 të mëngjesit përgjatë gjithë vijës se frontit perëndimor me 3500 autoblinda dhe 600.000 makina të tjera, rusët nuk reaguan nga frika se kështu mund të kundërshtonin vullnetin e Stalinit.
Kundërsulmi do të niste vetëm në 07:15, pra mbi tre orë me vonë, çka u kishte lejuar nazistëve të fitonin ndjeshëm epërsi.
Dokumentet u publikuan në 77-vjetorin e këtyre ngjarjeve. Ato tregojnë se edhe kur ishte dhënë urdhri i goditjes, trupave u kërkohej të hidheshin mbi armikun dhe ta shkatërronin, por pa e kaluar kufirin.
Deri në ato momente rusët kishin marrë sakaq goditje të forta, me 1200 avionë të shkatërruar përpara se të ngriheshin në fluturim.
Stalini deri në çastet e fundit duket kishte qenë i bindur se ky ishte një lloj provokimi i Gjermanisë për të hapur negociata me të.
Diskutime rreth kësaj post