Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç ka braktisur takimin e ministrave të Jashtëm të grupit të Vishegradit ku marrin pjesë edhe disa vende të Ballkanit, pasi ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka folur për krimet në Kosovë dhe rajon, duke cilësuar fajtore Serbinë për gjenocid dhe krime lufte.
Kjo ka habitur ministrin Daçiç, i cili ka deklaruar se është ndjerë i ofenduar dhe askush nga Bashkimi Evropian nuk ka reaguar për këtë.
“Pasi as Mogherini dhe as pritësit e samitit nuk reaguan ndaj Hoxhajt, unë kam thënë se nëse mund të bëhet pa Serbinë, atëherë unë do të largohem. Ne nuk mund të lejojmë askënd të na nënshtrojë, pasi ka ikur koha kur Kosova paraqet dhe kërkesat e saj plotësohen. Nuk duam të dëgjojmë leksione nga ata që kanë kryer krime ndaj serbëve”, ka thënë Daçiç.
Daçiç ka thënë gjithashtu se Kosova nuk mund të shkojë as në Bashkimin Evropian, pasi marrëveshjet e saj për integrim nuk janë shtetërore por territoriale. Ai ka shtuar se Serbia është konstruktive, por ai është detyruar të largohet nga takimi.
Në këtë samit në Varshavë, ku kanë qenë Daçiç e Hoxhaj kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të BE-së, nga shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini dhe ministra të tjerë.
Në një qëndrim të përbashkët është vlerësuar se, vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve janë të rëndësishme për integrim e të dyja palëve.
Diskutime rreth kësaj post