Një ngjarje e pazakonte ndodhi pak ditë më parë në Shkodër, ku një nënë pasi lindi fëmijën e saj e hodhi atë në ujërat e lumit Kir, në lidhje me ngjarjen ka folur edhe drejtori i Maternitetit të Shkodrës Senad Halluni.
Ai u shpreh se e reja ka refuzuar regjistrimin e atësisë së foshnjës, ndërsa ka shtuar se fillimisht ka kërkuar dorëzimin e tij në shtëpinë e foshnjës, por se ka ndërruar mendje më pas.
“32-vjeçarja ka ardhur për lindje me 30 dhjetor. Ka qenë lindja e parë. Janë kryer të gjitha proçedurat.
Zonja ka refuzuar regjistrimin e atësisë së fëmijës. Ka pasur lindje normale me 30. Zonja ka kërkuar dorëzimin në shtëpinë e foshnjës.
Kemi njoftuar drejtorinë e shtëpisë së foshnjës për proçedurat. Zonja ka punuar në një ndërmarrje këpucësh.
Me datë 4 kemi kryer proçedurat për t’u transferuar në shtëpinë e foshnjës, ajo ka refuzuar më pas. Ka nënshkruar që merr përsipër marrjen e foshnjës.
Ajo nuk ka shfaqur probleme të shëndetit mendor. 32-vjeçarja rezulton se është e vetme dhe banon në Golem”, ka deklaruar ai.
Trupi i pajetë u gjet pas kërkimeve gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, 7 janar 2022 në vendin e quajtur Postribë, në lumin Kir.
Ngjarja e rëndë mendohet të ketë ndodhur 2 ditë më parë kur lehona ka lënë spitalin e Shkodrës, ku kishte sjellë në jetë foshnjën më 30 dhjetor 2022.
“E hodha sepse nuk kisha mundësi ta mbaja”, i ka thënë ajo policisë së Shkodrës.
Diskutime rreth kësaj post