Shumëkujt i ka ndodhur që të përjetojë gjëra të këqija në jetë, por e keqja më e madhe është atëherë kur ta kthen shpinën dhe të tradhton personi që ti e dashuron me mish e me shpirt. Kjo, për fat të keq, është e lidhur me mua, sepse ashtu më ishte shkruar që të më nxijë jetën një vajzë, me të cilën u njoha edhe familjarisht dhe ishim në ditët më të lumtura kur po planifikonim dasmën tonë të madhe.
Ajo që ndodhi mes meje dhe asaj është e tmerrshme dhe e dhimbshme njëkohësisht, aq më tepër kurrë nuk e kisha marrë me mend se e fejuara ime do t’i shkonte në shtrat edhe tjetrit. Ditën e parë që kur e kisha takuar për herë të parë ishim marrë vesh që tash e tutje veç ne të dyve gjithë të tjerët ishin të vdekur, në kuptim të asaj se asnjëherë nuk do ta tradhtonim njëri-tjetrin. Në fakt, unë as që e kisha ditur se ajo kishte pasur jo një profesor-dashnor të vetëm, i cili e kishte kushtëzuar për një notë, prej së cilës varej përsëritja e vitit, ndërkohë që unë isha i gatshëm ta merrja për grua, por kur vërejta se ajo po i përtërinte lidhjet e saj të vjetra me dashnorë të shumtë, desha ta vrisja pas seksit me avokatin. Atë e meritonte, kurrgjë tjetër të sinqertë, sepse ishte praktikante e shkathët e aventurave me meshkuj.
Ndoshta dikujt mund t’i dukem si njeri me pamje psikopate, por ajo që ndodhi me mua, ka diçka të dhimbshme për realitetin e sotëm kosovar. Para së gjithash, dua të qartësoj një gjë parësore se unë përfundimisht isha i vendosur që njihesha për qëllime martesore me një vajzë të sinqertë, duke mos e çarë as kokën për të kaluarën e saj. Kisha njohur disa vajza, njëra pas tjetrës, me të vetmin synim që ndonjëra prej tyre më në fund të hynte në zemrën time dhe ta çoja në shtëpi. Por, tek asnjëra nuk kisha gjetur sinqeritetin e duhur dhe kësisoj nuk mund t’i gëzohesha njëherë e përgjithmonë lidhjes me njërën prej tyre. E vërteta ishte se unë kisha mbushur plot njëzet e shtatë vjet, prandaj dhe dëshiroja me çdo kusht që të gjeja një vajzë serioze për martesë. Në këtë periudhë kohore përmes disa të njohurve, doja të njoftohesha me ndonjë prej atyre që të bënin “rehat”, por unë ende nuk isha adaptuar me klimën e ndryshimeve në Kosovë, sa i përket mentalitetit të tjetërsuar femëror. Kisha jetuar plot gjashtë vite në Gjermani, prej nga më kishin kthyer pas gjermanët dhe tash me pak para të kursyera dëshiroja të gjeja një vajzë për martesë dhe ta bëja një dasmë të vogël. Mirëpo, nuk më ecën punët ashtu siç unë aq lehtë i parashikova në fillim, për shkak se më dukej se ishte bërë e vështirë lidhja serioze. Të shtëpisë ngulmonin që t’më gjenin një vajzë të katundit, që s’kishte të kryer as tetëvjeçaren, por unë i kundërshtoja.
“A po martohem unë për vete a për juve?”, u thash, me arsyen se isha absolutisht i bindur se së shpejti do ta gëzoja veten dhe ata me një vajzë-nuse tamam ashtu siç preferonte familja ime.
“Biro, hapi sytë mirë dhe mos i zë besë asnjë vajze, të mashtrojnë dhe të marrin në qafë. Ti nuk e di se çka janë duke bërë çikat e sodit!”, më këshillonte gjithnjë nëna sa herë ndezja veturën dhe dilja në qytet, ku edhe nuk kthehesha deri natën vonë.
Mund të them se për femra kurrë nuk kam vuajtur. Me shumicën e tyre që dilja për t’u njohur (disa nga to edhe i kisha shtrirë përfundi me dinakërinë time ose me vetëdëshirën e tyre), pothuajse si njëra ashtu edhe tjetra më pyetnin shkurt e shqip që në ditën e parë të daljes sonë: “A ka rëndësi për ty virgjiniteti i femrës, o djalë?”. Ç’është e vërteta, në fillim ua thosha sinqerisht të vërtetën se me dijen time nuk vinte në shprehje të martohesha me një vajzë të shvirgjëruar dhe kështu kisha humbur pjesën më të madhe të bashkëshoqërueseve të mia.
“Kemi menduar se pasi ke jetuar në Perëndim, je bërë njeri evropian… po tash po shohim se paskemi gabuar në ty: edhe ti je një katundar si gjithë meshkujt këtu!”, më thoshin një numër i konsiderueshëm i vajzave që kisha njohur gjatë përpjekjeve të mia të pareshtura për të gjetur një që “s’mirrte vesh” nga dashuria, në kuptim të asaj që nuk kishte “përvojë” me meshkuj.
I thosha shpeshherë vetes e në Kosovë ishte bërë më zi se në Itali e Gjermani, ku kisha qëndruar përkohësisht. Megjithatë, duke parë se po më braktisnin të gjitha femrat “e sprovuara” me meshkuj si unë, të cilave ua thosha realitetin tim të martesës – vendosa që sipas rrethanave të krijuara të ndërroja taktikën e kështu të thyeja “rregullat e lojës” për të zaptuar femra për shtrat e ndoshta edhe për më tutje. Si rrjedhojë e kësaj praktike, duke u premtuar për lidhje serioze, disa femra, të cilat natyrisht mua nuk më kishin të parin as të fundit, ia kisha arritur me mjaft lehtësi t’i “lumturoja” për shtatë palë qejfe. Në fakt, unë kisha një përparësi nga bashkëmoshatarët e mi të tjerë sa i përket suksesit në përvetësimin e femrave: e para, sepse isha fytyrë e re dhe “e qëruar” që sapo isha kthyer nga Gjermania, fizikisht i shëndetshëm, i pashëm dhe i veshur mirë; e dyta, vozitja një “Mercedes” të madh dhe të zi si futa, i cili i binte në sy të gjithëve si dhe kisha xhepat me para që i shpenzoja pa ngurrim dhe, e treta, isha tip vetmitar, instinktivisht tërheqës, jo mendjemadh, por i pashoqërueshëm me meshkuj, prandaj aty ku shihja të ulur në një tavolinë dy-tri femra, shkoja u kërkoja të ulesha dhe kështu niste muhabeti. Zakonisht, preferoja qëndrimin indiferent ndaj tyre, për fillim dhe pastaj ndizja një cigare, porositja te kamarieri pije, heshtja përpara vajzave, që flisnin me njëra-tjetrën me zë të ulët, të cilat pjesën më të madhe të kohës më bishtëronin me sy. Por, mundohesha që të lija tek ato një përshtypje të veçantë, si për një tip “autsajder”, një tip i mistershëm, për të cilin atyre u vlonte kureshtja t’ia çelnin gojën me një fjalë të vetme, të paktën sa për t’ia mësuar emrin dhe prejardhjen… sa për ta njohur.
“Qysh e kanë rritur mendjen djemtë sot: presin që t’u rrasemi vetë ne femrat! Por, me yll në ballë të jetë dikush, nuk shkoj t’i flas e para”, m’u drejtua njëra, duke më dhënë të kuptoja se gjoja po bisedonte me shoqet.
Unë përsëri vendosa që të zgjedhja heshtjen, sepse për fillim e dija se ishte më e arsyeshme që të mos reagoja.
“Ani çka po më shkojnë nerva këta që janë kthyer prej jashtit: atje kanë bërë çka kanë dashur dhe sot kërkojnë vajza virgjine për martesë!”, fliste tjetra, duke më shigjetuar mua edhe tymin e cigares së thithur.
“Nuk po mund t’i shoh me sy as unë ato femra që kushedi sa herë janë përplasur në shtretërit e zezakëve, italianëve, amerikanëve, arabëve, mund të kenë marrë ndonjë virus të rrezikshëm dhe kur të kenë hequr “mallin” për seks, kërkojnë të martohen me djem shqiptarë!”, ua ktheva unë me nënqeshje ironike dhe ato të tria mbetën gojëhapur.
Zakonisht, në të tilla raste, duke zbatuar këtë metodë për fatin tim, më mirë kisha bërë për vete disa femra të bukura, disa nga to madje sot e kësaj dite janë martuar dhe kanë fëmijë, por ende nuk e di nëse më kanë harruar.
Por, me Florijen më doli ndryshe nga që e kisha imagjinuar, sepse ajo nuk kishte humbur virgjërinë me profesorin e fizikës që në bankat e gjimnazit, për kushtëzimin e një note të dobët, por u kishte shkuar në krevat edhe sa e sa të tjerëve, para dhe pas mësimdhënësit të saj. Nuk e di as vetë pse u dashurova aq keq ashtu në të dhe e kisha krijuar një aso bindjeje që me të do të mund të martohesha. Jo vetëm që ishte e bukur, por linte përshtypjen të parë si një vajzë tejet serioze, e cila duket të jetë “shurdhmemece” ndaj meshkujve. Ç’është më e çuditshmja në këtë mes, për mua ajo kishte një rëndësi të dyfishtë: e para, sepse dashuroja për herë të parë me shpirt, gjë që isha ndier i ftohtë ndaj të tjerave dhe, e dyta, sepse nuk më besohej të ishte ajo prej atyre që u bëjnë mijëra dallavere meshkujve mendjepaktë. Me këtë vetëbesim për të, tashmë po e ndieja zjarrin e pashuar të dashurisë së saj duke, lënë gjurmë gjithnjë e më të thella në brendinë time.
“Do të ishte mirë që t’i njoftonim edhe familjet tona se ne po e duam njëri-tjetrin”, më propozonte gjithnjë ajo, duke tentuar që t’i jepte një kahe më të sigurt lidhjes sonë. Megjithatë, duke iu përgjigjur përherë me të njëjtën mënyrë se “ka kohë, mos u ngut”, doja që të krijoja një pasqyrë të vërtetë për të dhe rreth saj, ndonëse isha për të parën herë në jetën time shumë i nxehtë për t’u fejuar me Florijen. Nganjëherë dyshoja me vete nëse ajo më kishte bërë diçka magjike që më kishte kthyer ashtu të tërin drejt saj, ngaqë e simpatizoja pa hile.
E them edhe një herë, edhe pse e dija se ajo nuk ishte e virgjër, isha më i afërt se kurrë shkeljes së parimit tim jetësor: të martohesha me një femër që kushedi me sa vetë kishte shkuar në shtrat. Të vërtetën e hidhur të saj, duhet ta mbaja ndrydhur në vete, që të mos e diktonte familja ime në radhë të parë dhe rrethi tjetër më i gjerë, aq më tepër kur më brente njëfarë droje sesi do të përjetoja momentin kur dikush në prezencën time do të bënte me gisht drejt saj: “Ja, atë e kam pasur unë në shtrat dhe një shok i shokut tim pas meje dhe tash ajo qenka martuar! Ishalla bëhen rehat!”.
Kur paramendoja diçka të tillë, të tmerrshme dhe denigruese, i thosha vetes se në asnjë mënyrë nuk duhej të vendosja diçka më tepër me të, përveç shëtitjeve nëpër vende pitoreske në Kosovë dhe kuptohet lojën e zjarrtë në shtrat derisa të kthehesha prej andej nga kisha ardhur – në Drezden të Gjermanisë.
Dhe, tri ditë para martesës me të, fillova të dyshoja në besnikërinë e lidhjes sonë dhe këtë e mësova nga vëllai im më i vogël, Avniu, me të cilin nuk fshihja asgjë. Më tregoi se e kishte parë në një zyrë të një avokati, duke ndenjur vetëm për vetëm me një burrë rreth të dyzetave. Dhe, unë vendosa që ta përgjoja tërë ato ditë, ndonëse as nuk i besoja vëllait, thënë të drejtën. Kisha krijuar një bindje të jashtëzakonshme se ajo isha në gjendje që për mua të fuste dorën në zjarr. Nuk e di as vetë sesi më erdhi një ide e budallakaftë, por shumë efikase që ta zija në mat-pozicion të dashurën time, Florijen, vetëm e vetëm që të zbuloja nëse ajo me të vërtetë më tradhtonte pas disa muajve dashuri dhe më pas fejesë. Asaj i thash se do të shkoja në Aeroportin e Shkupit, që ta pritja vëllanë tjetër, i cili vinte nga Suedia që të merrte pjesë në solemnitetin e martesës sonë.
Atë ditë, derisa po binte terri, unë qëndroja disa metra larg zyrës në fjalë, që nga mëngjesi i hershëm, në pritje se kur do të hynte aty e dashura ime, Florija. Zyra ndodhej në katin përdhes të një ndërtese disakatëshe dhe aty punonte një avokat aspak i hijshëm, siç kisha menduar në fillim: çuditesha sesi ajo kishte rënë në dashuri me të. I lodhur nga qëndrimi i gjatë, aty kah buzëmbrëmja, Florija, e veshur me pantallona të zi dhe të ngushtë, vinte në drejtim të zyrës, në dritare të cilës ishin varur perde të errëta. Isha i fshehur mjaft mirë, prej nga mund t’i dalloja edhe po të putheshin, nga një vrimë e vogël e perdes. Me të hyrë ajo brenda, avokati vari në derë mbishkrimin: “Avokatura është e mbyllur” dhe ndali dritën brenda.
E, nga vrima që thash më lart më mjaftonte ta shihja duke u zhveshur të fejuarën time, me të cilën na ndanin vetëm tri ditë para martese. Pastaj, unë e merrja me mend se çfarë ndodhte aty brenda: Florija bënte atë “punën” me një tjetër tinëz meje dhe ndoshta kishte vazhduar edhe me shumë të tjerë, edhe atëherë kur dilte rregullisht me mua. Prita në ethe plot dy orë derisa ata dolën: ai ia vuri drynin avokaturës dhe u nisën kah shtëpia e saj. Isha në dilemë të madhe se a duhej t’u dilja përpara apo të heshtja, megjithëse nuk mundja. Por, u përcaktova të heshtja dhe me një frymë vendosa të pritja derisa ajo të kthehej në shtëpi dhe ta thirrja në telefon për ta ftuar të dilnim dhe për të parë reagimin e saj.
“Kur u ktheve kaq shpejt?”, ia dëgjova zërin në telefon menjëherë, duke u ndier e befasuar dhe në të njëjtën kohë duke më thënë se gjithë ditën kishin larë, fshirë e gëlqerosur shtëpinë shkaku i ditës së martesës sonë që do të ndodhte, kështu që ndihej shumë e lodhur që të dilte atë mbrëmje me mua.
“Bëje një dush, por jo nga pluhuri, po nga seksi me avokatin dhe pastaj hajde dil me mua!”, i thash.
E di vetëm se ka piskatur një herë në telefon dhe pastaj i ka rënë ai nga dora.
Dhe, që nga ajo ditë kurrë më as nuk ia kam dëgjuar zërin, por as nuk e kam parë me sy, sepse po t’më dilte para atë natë kurrë nuk do ta lija pa ia marrë shpirtin…
Diskutime rreth kësaj post