Në vitin 1915, Esat Toptani që mbante deyrën e Kryeministrit të Shqipërisë urdhëroi vrasjen e ministrit të tij të Financave, Nexhat Libohova. Autori i vrasjes ishte truproja, Osman Bali.
Historia
Esad Pashë Toptani është i vetmi kryeministër shqiptar që duke ushtruar detyrën ka urdhëruar ekzekutimin e ministrit të qeverisë së vet. Ministri i Financave, Nexhati Libohova, u vra më 26 maj 1915 në Durrës nga truproja e kryeministrit, Osman Bali, pasi ai zbuloi tradhtinë ndaj Esad Pashë Toptanit.
Esadi që e kishte ngritur karrierën mbi intriga dhe krime zbatonte rregullin se këto cilësi që ai kishte vetë nuk mund t’i zbatonin vartësit kundrejt tij. Eqrem bej Libohova, nipi i Esad Pashë Toptanit, është nga personazhet e rralla të kohës që jo vetëm e ka njohur Nexhati Libohovën, por ka lënë të dokumentuara cilësitë që e shoqëronin karakterin e tij. Për Vlorën, Nexhati Libohova ishte thjesht një Esad i vogël.
“Ministër i i Financave të Esad Pashës ishte një avokat i quajtur Nexhat efendi Çomo, nga Libohova, një intrigant me shkollë, inteligjent i thekur, i cili nga njëra anë i shërbente pashës dhe politikës së tij, nga ana tjetër njëkohësisht merrej vesh me kundërshtarët e tij”.
Por a mund të jetonin bashkë në një qeveri si kryeministër Esadi i madh dhe minister i Financave Esadi i vogël? Ishte momenti kur Esadit të madh i vinte në ndihmë vetëm një instinkt që e ka shoqëruar gjithë jetën: vrasja.
SKENA E VRASJES
Eqrem bej Vlora, një personazh shumë aktiv i ngjarjeve të asaj kohe, ka qenë dëshmitar okular i një vrasjeje tipike mafioze.
Rastësisht Esadit i ranë në dorë letërkëmbimi i tij (Nexhati Libohovës) dhe e thërret për t’i kërkuar llogari. Pastaj nuk ia zgjati shumë: ia dorëzoi sejmenit të vet, Osman Balit. Ky e futi mëkatorin në një thes dhe shtroi në dajak deri sa nga trupi i tij mbeti vetëm një grumbull pa formë”.
INTRIGA VAZHDOI EDHE PAS VRASJES
Por si u paraqit vrasja e ministrit nga kryeministri? Duart jo vetëm duhet të laheshin, por pastërtia e tyre duhet të ishte bindëse. Kryeministri Esad Pashë Toptani sajoi historinë, sipas së cilës ministri kishte kryer një vjedhje në arkat e shtetit dhe ishte larguar bashkë me to.
Mithat Frashëri është i pari që zbuloi intrigën pas vrasjes së Nexhati Libohovës. Në portretizimin që ai i ka bërë Esad Pashë Toptanit në punimin “Cili ka qenë Esadi”, Frashëri publikoi edhe një shkresë në formë urdhri, tipike për natyrën e kryeministrit të asaj kohe.
“Për vrasjen tragjike të Nexhait Efendiut, ai nxori një qarkore ku thuhej se Nexhati ishte arratisur me një shumë të madhe që ai e kërkonte dhe i premtoi një shpërblim atij që do ta zbulonte”.
Pra, pasi zbuloi tradhtinë e vartësit të vet, urdhëroi vrasjen e tij dhe pasi ajo u zbatua, e shpalli në kërkim si hajdut të arkës së shtetit. Madje, duke vënë në dispozicion një shumë të madhe të hollash për atë që jepte informacion. Edhe Al Capone duket diletant përballë një krimi të tillë.
POZITA E VIKTIMËS NË MOMENTIN E VRASJES:
Ministër i Financave në qeverinë e Esad Pashë Toptanit
POZITAT E TJERA TË VIKTIMËS PËRPARA VRASJES:
Avokat, i diplomuar si jurist në Turqi
DATËLINDJA:
1869
DATA E VRASJES:
E mërkurë, 26 maj 1915, ora 12.00
MOSHA E VIKTIMËS:
46 vjeç
VENDI I VRASJES:
Durrës, Shqipëri
AUTORI I VRASJES:
Osman Bali
POZITA E AUTORIT:
Truproja e kryeministrit Esad Pasha
MOTIVI I VRASJES:
Për tradhti ndaj kryeministrit
VIKTIMA:
NEXHATI LIBOHOVA
10 fakte
1.Nexhati Çomo Libohova ishte një nga pinjollët e familjes së njohur Libohova dhe një personazh i
njohur përpara dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë
2 Nexhati Libohova ishte ministër i Financave në qeverinë e Esad Pashë Toptanit, kryeministrit të dytë
në historinë e Shqipërisë
3 Nexhati Libohova kishte studiuar për jurisprudencë në Turqi dhe ishte një nga juristët e rrallë
shqiptarë të diplomuar në atë kohë
4 Nexhati Libohova kishte punuar për një kohë të gjatë si avokat dhe ishte një nga më të njohurit në
Shqipëri në shumë procese gjyqësore, si gjatë Perandorisë Osmane dhe pas Shpalljes së Pavarësisë
5 Nexhati Libohova u vra duke u qëlluar me dru në kokë, pasi ishte futur në një thes
6 Autor i vrasjes së Nexhati Libohovës ishte Osman Bali
7 Pas vrasjes trupi i Nexhati Libohovës u zhduk
8 Për vdekjen e tij nuk pati asnjë ceremoni mortore dhe as varr
9 Në një komunikatë publike kryeministri Esad Pashë Toptani e shpalli hajdut ministrin e vet duke
informuar publikun se kishte marrë një sasi të hollash në arkën e shtetit dhe ishte larguar
10 Pas vrasjes së Nexhati Libohovës, detyrën e ministrit të Financave e mori Haxhi Jusuf Banka
*Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”
Diskutime rreth kësaj post