E provuan kultivimin e kanabisit si një biletë që do t’i shpëtonte nga varfëria. Por çifti i të moshuarve nga Fushë- Thumana jo vetëm që nuk i pakësuan vështirësitë, por sapo kanë hapur një kapitull të ri problemesh akoma më të rënda se të parat.
Me bashkëshortin në burg, një 74-vjeçar që akuzohet për kultivim droge, Begeja i zëvendësoi gropat e hashashit të asgjësuar nga policia me perimet e stinës.
Çifti i të moshuarve vendosi të mbjellë drogë, ditën kur kryefamiljari Vesel Xhaferri pas disa operacioneve, duhet të përballej me një tjetër ndërhyrje shëndetësore të komplikuar, për të cilin nuk kishte të ardhura. Kishin dëgjuar që me hashash fiton dhe vunë bast me jetën e tyre se mund të ishin mes fitimtarëve.
“Shkoi në spital me u bë operim, nuk e bënë se nuk i mbante zemra më. Është operuar tre herë. E katërta kjo që desh të bëhej në Itali dhe i kërkuan 11 mijë euro. Ne s’kemi as 11 mijë lekë jo 11 mijë euro. Se ku i gjeti do bërthama dhe i mbolli. Tek kjo bahçja e mbolli. Mbolli 85 mijë rrënjë tre mujorshe dhe unë për Zotin nuk e kam ndihmuar, ndonjëherë me e mbulu se për të zbuluar e zbulonte vetë. Më tha ‘jam tu e mbjell’. I thashë “o plak do ja shohim sherrin”. Erdhi polcia na e shkulën”, thotë Bege Xhaferri, 71 vjeçe për, Exclusive.
Me burrin në qeli dhe të birin në kërkim, sepse nuk raportoi në polici që i ati kishte mbjellë bimën narkotike, e moshuara bazohet vetëm te ligji i saj, që është besimi në Zot.
Rasti i 74-vjeçarit që sakaq lutet për t’u liruar nga gjykatat pasi ka probleme shëndetësore u raportua në datën 5 gusht 2023 nga Top Channel.
Në pritje për t’u gjykuar, 74-vjeçari mbahet në burgun e Fushë-Krujës, ashtu si shumë të moshuar të tjerë në burgje, shumë prej të cilëve vetë fajësohen para gjyqtarëve edhe pse ekziston dyshimi se ata kanë marrë përgjegjësinë si kultivues droge për të shpëtuar fëmijët nga arrestimi.
Por me një deklaratë vetë inkriminimi të tillë, as policia as prokuroria nuk sigurojnë dot prova për të konfirmuar nëse vërtet mosha e tretë po mbjell drogë. Përballë fenomenit të kanabizimit, po përsëritet fenomeni i përmbi 20 viteve më parë, kur gratë pranonin se kishin mbjellë kanabis dhe e bënin këtë gjë për të shpëtuar bashkëshortin./tch
Diskutime rreth kësaj post