Nga Andi Bushati
Më në fund Edi Rama e theu edhe një tabu. Ishte betuar me veten dhe të tijët që nuk do t’i përgjigjej publikisht Ben Blushit. Disa thonin se e kishte marrë këtë vendim nga ankthi i përballjes në një agore ku nuk e kishte të sigurtë fitoren si orator, disa se kishte vendosur të mos e faktorizonte duke e përmendur me gojën e tij, por pavarësisht nga hamendësimet, ai arriti ta mbante gjatë këtë premtim.
Së paku deri në seancën e kësaj të enjteje në parlament, ai nuk cedoi. Sot (dje) e bëri. Ajo që të bën përshtypje nuk është fakti se ai po sillet pak çuditshëm tani që gjendet në presion. Nuk është konstatimi se ai e ka humbur qetësinë që kur opozita ngriti çadrën poshtë zyrës së tij dhe që kur Ilir Meta nuk po i jep garancinë përfundimtare se do të futen bashkë në zgjedhje.
Ajo që të bën përshtypje është gjuha që po përdor, tabloja e rreme që po vizaton dhe situata paranoiake që po përshkruan për gjendjen e vendit. Duke e dëgjuar sot në parlament në fjalimin që kishte përgatitur enkas për Blushin më bëri përshtypje një pasazh: “Ti vazhdo bjeri legenit të çadrës, por të lutem na e kurse betimin se nuk ke lidhje me ujrat e zeza mediatike të çadrës” i tha ai ish mikut të tij.
Pra shkurt ai me një të rënë të lapsit e futi edhe Blushin në kazan. Po kush gjendet tjetër në këtë kazan sipas Edi Ramës? Po t’i hedhësh një sy të shpejtë intervistave të tij të fundit dhe monologut të së dielës në Facebook, e kupton më lehtë. Në këtë kazan të së keqes kundër së mirës që personifikohet nga ai vetë, janë të gjithë ata që nuk mendojnë si Edi Rama dhe që guxojnë ta kritikojnë publikisht atë.
Aty nuk janë vetëm opozitarët që janë ngujuar me pretekstin për të kërkuar zgjedhje të lira, aty janë edhe gazetarët që i mbështesin se paguhen me para nën dorë, aty janë edhe gjykatësit që janë mbledhur tok dhe kanë dorëzuar një pjesë të kursimeve të tyre kolosale për të financuar protestën, aty janë edhe të gjithë ata njerëz të lirë, anëtarë të OJF-ve që kritikojnë qeverinë sepse i shërbejnë interesave të fuqive të huaja që nuk duan të mirën e Shqipërisë. Pra cila është tabloja që po pikturon Rama në këtë luftë të së mirës me të keqen, ku ai luan rolin e Mesisë që ka zbritur nga qielli për të shpëtuar shqiptarët?
Në këtë pikturë nga njëra anë është ai dhe pak të ndershëm si Saimir Tahiri, Ilir Beqja, Elvis Roshi, Armando Prenga, Mark Frroku, Arben Ndoka, Artur Bushi, ndërsa nga ana tjetër është i gjithë fronti i kazanit, me gazetarë të shitur, me qytetarë të blerë, me gjyqtarë të korrupotuar me opozitarë djaj dhe me të huaj që duan të shkatërrojnë Shqipërinë.
Pra sipas Ramës, gjithkush që nuk e pëlqen atë, gjithkush që e kritikon, nga ish miqtë te njerëzit e pavarur e deri tek kundërshtarët, janë bërë të gjithë bashkë pjesë e një kazani ku vlen vetëm shitblerja dhe ku prevalojnë vetëm qëllimet e këqija. Se ku të çon kjo optikë e të parit të gjërave, kjo paranojë se të gjithë, armiku i jashtëm dhe i brendshëm janë bërë tok për të mposhtur superheroin që mendon për njerëzit, nuk është e vështirë të imagjinohet. Një përcaktim brilant të saj ka dhënë pak ditë më parë, publicisti dhe gazetari i njohur Timothy Garton Ash.
Duke vizatuar një tablo të asaj që po ndodh në Turqi dhe se ku mund t’a çojë Erdogan Turqinë nesër, ai përshkruante një arketip të politikanëve të ngjashëm që i çojnë vendet e tyre drejt autarkisë. Ai e përmblidhte me pak fjalë, që janë lehtësisht të dekriptueshme për çdo shqiptar, mënyrën se si e personalizojnë pushtetin kandidatët për diktatorë në botën e sotme.
“Fillimisht marrin kontrollin e mediave nëpërmjet oligarkëve dhe konglomerateve të biznesit që i kanë ata në pronësi- thoshte Garton Ash. Pastaj krijojnë kushte elastike ligjore që të mund të persekutojnë këdo. Vazhdojnë me kontrollin politik ndaj një drejtësie të mjerë. Dhe në fund u fryjnë flakëve të narracionit populist- nacionalist nëpërmjet televizioneve dhe mediave sociale, duke akuzuar mediat e pavarura dhe OJQ-të lokale se janë kolona e pestë që paguhen prej burimeve të huaja.
Më mirë se kaq besoj nuk mund të thuhet. Parashikim më të goditur se ku mund të na çojë narracioni aktual i Ramës sipas të cilit të gjithë djajtë janë bërë kundër tij, prandaj duhen luftuar, vështirë se mund të ketë. Dhe ne të gjithë e dimë fundin e këtij rrëfimi. Sidomos nëse personazhi i përshkruar nga Timothy Garton Ash e mban dhe premtimin e tij të fundit. Atë për të marshuar triumfator dhe i vetëm drejt zgjedhjeve. (Lapsi.al)
Diskutime rreth kësaj post