Pas investigimit të BIRN/VOA mbi vendimet gjyqësore që sollën lirimin e të dënuarit për disa vrasje Lulzim Berisha, prokuroria e Durrësit njoftoi hapjen e hetimeve për gjykatësit si dhe për procedurën administrative të Bashkisë Durrës për dhënien e letrës në mbështetje të lirimit me kusht.
Nga Gjergj Erebara
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi sot nisjen e hetimeve për vendimet gjyqësore të disa gjyqtarëve në shkallës së parë dhe të apelit në Durrës, vendime që sollën lirimin para kohe të Lulzim Berishës, i dënuar për disa vrasje, krijim organizatash kriminale e vepra penale të tjera.
” Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin kryesisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha,” bëri të ditur Prokuroria e Përgjithshme në një njoftim për shtyp sot.
“Prokuroria Durrës po shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të dhëna në kohë të ndryshme për të dënuarin Lulzim Berisha nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, përfitimit të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga Burgu i sigurisë së lartë, në atë të zakonshëm,” vijon më tej njoftimi.
Ndërkohë, prokuroria deklaroi se edhe një letër mbështetëse e nënshkruar nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako në gjyqin që solli lirimin e Berishës, do të jetë pjesë e hetimit. Dako deklaroi nga ana e tij se letra mbështetëse është procedurë e zakonshme e bashkisë, e kryer në rastet e dënimeve me kusht, ndërsa Partia Demokratike në opozitë kërkoi shkarkimin e Dakos si kryebashkiak.
Një investigim i BIRN zbuloi se vendime të njëpasnjëshme të gjyqtarëve të ndryshëm në Durrës mundësuan falje të shumta të masës së dënimit deri në lirimin me kusht të Berishës në 5 dhjetor 2016.
Lulzim Berisha është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2012 i shpallur fajtor për disa vrasje. Ai njihet si drejtues i Bandës së Durrësit, një organizatë kriminale aktive e fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000, e cila u godit nga institucionet ligjzbatuese fillimisht në vitin 2006.
Lirimi i tij pasi pati kryer efektivisht më pak se 11 vite burg, shkaktoi reagime të forta. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Donald Lu e konsideroi ngjarjen provë e korrupsionit në drejtësi.
“Prokuroria e Durrësit ka dyshime të arsyeshme që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha,” deklaroi prokuroria.
Diskutime rreth kësaj post