Nga Henri Çili*
Në vitin 2006, një revistë e re tërhoqi vëmendjen duke filluar qysh nga titulli i saj. Ishte revista “Mapo”, e drejtuar nga një ekip gazetarësh të njohur dhe emra të rëndësishëm publikë, si: Skënder Minxhozi, Lorenc Vangjeli dhe Ben Andoni. Secili prej tyre, individualitet. Dukshëm me një frymë opozitare ndaj qeverisë së kohës, si produkt i aktivizmit civil të kohës, ku drejtues dhe aktivistë të “Mjaft”, si: Erion Veliaj, Endri Fuga, Arbian Mazniku, sot në pozicione të rëndësishme në qeverisjen aktuale, krijuan sinergji me këtë ekip gazetaresk, duke themeluar të përjavshmen MAPO. Ky titull më tërhoqi vëmendjen dhe nisa menjëherë kooperimin me këtë organ, duke mbajtur një rubrikë në të, rubrikën campus. Kooperimet me Mapon vazhduan edhe në forma të tjera. Për shembull në vitin 2007 ishim në një kopertinë me kolegë të universiteteve të reja private, me profesorin e nderuar Luarasin, me Kujtim Çashkun dhe Besnik Aliajn. Ishte një nga kopertinat më të bukura të kohës, kur sapo kishin filluar universitetet private. Më tej, dolën edhe dy ose tri kopertina të tjera, dhe befas një kopertinë tjetër për çështjen e masterave me rektorin e Universitetit Evropian të Tiranës, Adrian Civicin. Si përfundim, befas m’u duk se kisha një lidhje me Mapon, kur kolegë të tjerë të grupit të UET-së menduan për hapjen e një gazete. Gjëja e parë që na shkoi në mendje ishte kjo dilemë: të krijonim një titull të ri, apo të blinim një titull ekzistues! Në atë kohë unë mbroja pikëpamjen se titujt e shtypit nuk duhet të vdesin kurrë, ato duhet të evoluojnë, të transformohen, të shiten apo të blihen, por nuk duhej të zhdukeshin kurrë, pasi historia jonë kishte një fat të trishtë: Në Shqipëri çdo epokë ka pasur gazetat apo revistat dhe mediat e saj, të cilat në një epokë tjetër, në regjimin tjetër thuajse nuk mbetej asgjë. Asgjë nuk ka mbetur nga shtypi i Rilindjes, asnjë titull. Asgjë nuk ka mbetur nga shtypi i viteve ’20-30. Asgjë nga shtypi i regjimit komunist. Thuajse asgjë nuk ka mbetur nga dekada e parë e tranzicionit shqiptar nga vitet ’90-2000, madje pak nga pak po zhduken tituj mediash apo logo mediash të viteve 2000-2010. Kjo është e trishtë.
A nuk është krejt e kundërta e shtypit prestigjioz botëror, historia e Le Figaro, e Corriere della Sera, e New York Times etj., të cilët kanë 150 apo 200 vite që dalin? Në këtë kuptim mbijetesa e një logoje pavarësisht nga format e pronësisë apo të menaxhimit është një lajm i gëzueshëm, është një lajm perëndimor. Ndaj në verën e vitit 2010 vendosëm të zhvillonim logon MAPO edhe në një gazetë të përditshme duke ruajtur një kombinim me redaksinë ekzistuese, ekipin e Mapossë përjavshme. Një vit më vonë kolegët e partnerët e tjerë të biznesit, si edhe kolegët e Mapos u tërhoqën duke u marrë me projektet e tjera mediatike. Kështu, MAPO u unifikua nën të njëjtin grup, në të njëjtin ekip editorial duke pasur në krye gjithmonë kryeredaktorin Arion Sulo, me mua drejtorin e parë, me drejtorin e dytë të saj, Artur Zhejin dhe më pas drejtor Alfred Lela, duke u përpjekur të përshtatet me një realitet jashtëzakonisht të vështirë të shtypit të shkruar, i cili po vdes: Thjesht po vdes kudo.
Të financosh shtypin e shkruar sot, në fakt, është një donacion. Është njësoj si të financosh një gjini të artit siç është opera, apo piktura. Shkurt është një shërbim publik nga kushdo që kontribuon për zhvillimin e shtypit të shkruar, e kulturës së shkruar, e cila mbetet një nga format më autentike të kulturës shqiptare. Por jo vetëm kaq. Gjatë këtyre 10 viteve ne, mund të flasim për një histori të konsoliduar të Mapos, ku krijimi dhe evoluimi i një titulli, ku kooperimet apo format e tjera të sinergjisë me këtë logo, më kanë bërë të them që PO: MAPO ka tashmë në dhjetë vite, një vazhdimësi dhe jam krenar që kam kontribuar në vazhdimësinë e kësaj logoje. Madje shumë më tepër. Në kohën integrale të online-it, të online-it të shpejtë, të facebook-ut apo gazetarëve të shpejtë në gjithçka – neve, na mbetet një sfidë të transformohemi dhe të përshtatemi kur gazetat më të mëdha të botës po mbyllen për pamundësi financiare. Pikërisht, këtu ka ndërhyrë grupi ynë ekonomik EEI, duke mbështetur dhe mbajtur një media, e cila është vazhdimisht me humbje, si kontribut për lirinë e shtypit. Duke nisur nga mars 2014, gazeta “Mapo” pushoi së qeni një biznes dhe është pjesë e organizatave jofitimprurëse dhe së fundi është e riorganizuar në kuadër të Institutit Evropian “Pashko”, një emër shumë domethënës dhe simbolik për frymën e kësaj gazete. Por, Mapo gjithmonë ka qenë e lirë, interesante, inovative dhe do të mbetet e tillë: NJË GAZETË LIBERALE!
*Fjala përshëndetëse e botuesit Henri Çili në përvjetorin e 10-të të MAPO
Diskutime rreth kësaj post