Ish-kandidati për kryetar i PD, Fatbardh Kadilli dje me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook ka reaguar ndaj shkarkimit të Flamur Nokës nga Komisioni i Sigurisë. Kadilli u shpreh se ky shkarkim është një tjetër dëshmi e traditës që Basha ka vendosur dhe demokratët duhet të reagojnë ndaj këtij modeli. Sipas tij, Basha vetëm i ka sjellë degradim partisë duke sjellë klimë përplasjesh dhe përjashtimesh.
“Shkarkimi i z. Noka një dëshmi tjetër e traditës së shëmtuar të përjashtimeve. Opozita zvogëlohet edhe më shumë nga përjashtimi. Një dëshmi e re e kryetarokracisë. Basha e emëroi Kryesinë e grupit dhe gati dy të tretat e Kryesisë si një kryetarokrat dhe e shkarkon po si kryetarokrat. Demokratët duhet të reagojnë kundër modelit jo rastit personal. Basha veproi si Kryetarokrat jo vetëm kur shkarkoi, por edhe kur emëroi. Përplasja me akuza të ndërsjellta me etiketime “llum” apo “peng” tregon degradim. Kë të besojnë demokratët? Ata meritojnë më shumë nga kryetari dhe nga ish-kryetari. Kjo klimë përplasjesh dhe përjashtimesh tregon degradim”, tha ai.
Edhe ish-kandidatja e PD, Edith Harxhi ka vijuar me akuza ndaj Bashës, të cilin e quajti lider perëndimor të paaftë. Harxhi u shpreh se Basha ka nisur misionin e tij të shkatërrimit të partisë, por demokratët nuk do ta lejojnë këtë. Sipas saj populli do të mblidhet dhe do t’i japë fund tranzicionit lodhës.
“Kjo shkarje ka nisur herët, por u forcua gjatë viteve 2013-2021 kur “lideri me shkollim perëndimor” dhe i paaftë të drejtojë edhe një OJQ, nisi misionin e tij të shkatërrimit të investimit tonë 30-vjeçar për ngritjen e një të djathte klasike. Anëtarësia po zgjohet dhe shpirti demokrat po ringjallet e për këtë shkaktar përsëri është misionari shkatërrues me vendimet e tij të fundit antidemokratike. Përjashtimet pa statut e pa forume alla diktator komunist, po i shërbejnë çdo ditë e më tepër fundit të tranzicionit lodhës në PD. Tani është koha të mbledhim popullin në një betejë të re përballë pazarxhinjve Rama-Basha”, tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post