Kreu i partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentoi në një intervistë për gazetarin e “News24” dhe “BalkanWeb”, Osman Stafa, gjestin e bujshëm të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili poston në rrjetin e tij social hartën e Kosovës të mbivendosur edhe flamurin serb.
Basha tha se politika e tij e jashtme do të udhëhiqet nga dy parime thelbësore, si integrimi evropian i Shqipërisë dhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare.
Intervista:
Pyetja: Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ditët e fundit ka hedhur në rrjetet e tij sociale hartën e Kosovës të mbivendosur edhe flamuri serb. Ditën e sotme, më në fund ka patur një reagim nga Tirana zyrtare, por cila do të jetë marrëdhënia juaj me shtetin serb dhe nga ana tjetër cila do të jetë përqasja juaj ndaj mini-shengeneit Ballkanik?
Lulzim Basha: Është fare e qartë që politika ime e jashtme do të udhëhiqet nga dy parime: nga Integrimi Europian i Shqipërisë, nga forcimi dhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare, si dhe ndihma ndaj Kosovës e pakursyer për integrimin e saj euroatlantik. Çdo hap që hidhet në drejtim të të kaluarës, dëmton ata që e hedhin këtë hap. Kjo është ajo që shpreha dje, ndërkohë që Tirana Zyrtare dhe Edi Rama kishin qepur gojën. Deklarata e presidentit Vuçiç, ishte një deklaratë e shekullit të kaluar, e cila dëmton klimën e stabilitetit dhe të përparimit të vendeve të rajonit dhe shkon në kundërshtim të plotë me aspiratat e popujve të rajonit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe Kosova e pavarur do të jetë me ndihmën e partnerëve tanë strategjik dhe me ndihmën e Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare nesër anëtare me të drejta të plota në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Diskutime rreth kësaj post