Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten ka kritikuar homologun shqiptar, Edi Rama për deklaratën e bërë mbrëmjen e sotme, se demarkacioni me Malin e Zi është shpikje e Haradinajt.
Përmes një shënimi në Facebook, Haradinaj shkruan se Edi Rama duhet të merret me punët e shtetit të tij, pasi ka shumë ‘shpikje me të cilat duhet të merret në Shqipëri’.
“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll“, -shkruan Haradinaj në Facebook.
Rama tha të premten se Demarkacioni do të duhej të votohej me kohë, pasi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro – atlantike të këtij vendi.
“Unë kam preferuar gjithmonë që debatet me miqtë e mirë këtu në Prishtinë t’i bëj në mënyrë diskrete, sy me sy, por çështja e demarkacionit u kthye dhe është sot e gjithë ditën në një gur që rëndon mbi qafën e Kosovës dhe që ka krijuar një pështjellim jo të vogël, në mes atyre që janë fuqia që lindi shtetin e Kosovës, partnerët strategjikë ndërkombëtarë të shqiptarëve”,-ka pohuar Rama për Klan Kosovën.
Rama u nderua sot nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në 10 vjetorin e pavarësisë.
Ky i fundit ka prezantuar një aneks-marrëveshje me Malin e Zi, sipas të cilës, do të ratifikohet demarkacioni.
Një seancë Kuvendi për këtë çështje u thirr për të dielën në orën 18:00.
Diskutime rreth kësaj post