Hans Peter Jost është fotografi zviceran, i cili duke dëgjuar Radio Tiranën gjatë adoleshencës u josh të vizitonte Shqipërinë. Me aparatin e tij mundi të fotografojë Shqipërinë e sapodalë nga regjimi komunist.
I ftuar në RTSH, Josti tregon se si e dëgjoi Radio Tiranën për herë të parë në vitet 1970.
“Nuk isha më shumë se 15 apo 16 vjeç. Politikisht isha i majtë dhe kisha iluzione. Si të gjithë të rinjtë e tjerë nuk isha i kënaqur. Në një çast në radio në valë të shkurtra dëgjova Radio Tiranën në gjermanisht, me pak zhurmë. Në radio thuhej se i gjithë populli ishte i barabartë, kishin të njëjtin shpërblim monetar, mjekësia funksiononte, të gjithë shkonin në shkollë të studionin, pra nuk kishte mungesë barazie. Unë i besoja kësaj propagande. Dhe kur doja të vizitoja këtë ‘parajsë’ dhe nuk qe e mundur, pikërisht këtu më lindi dyshimi se si ka mundësi që nuk më lejohet ta shoh këtë parajsë.”
Për Jost-in, ky ishte zhgënjimi i parë. Kishte dëgjuar që një njeri i vetëm nuk mund të shkonte në Shqipëri.
“Më pas dëgjova që nuk të lejonin të shkoje më flokë të gjatë, me mjekër dhe bluzë të shkruara. Kështu që hoqa dorë.”
Megjithatë fotografi tenton sërish, këtë herë pas rrëzimit të regjimit komunist.
“Me ndihmën e një mikeje përkthyese, e cila më dha adresën dhe numrin e telefonit të Justina Aliajt, arrita të vij në shtator të vitit 1991. Mikesha më tha që duhej të merrja një çantë plot me ushqime, oriz, sheqer, kafe, sapun sepse atje mungon gjithçka.”
Hans Peter Jost tregon përballjen e tij të parë me Shqipërinë.
“Fluturoja nga Zyrihu për në Tiranë. Kur po mbërrinim kapiteni tha se duhet të bëjmë një xhiro tjetër mbi aeroport sepse në pistë ka disa lopë.”
Shqipëria e fillimviteve ‘90 u bë objekt i aparatit të tij fotografik duke fiksuar në celuloid realitetin e atëhershëm. I pyetur për fotografinë që veçon, Josti përgjigjet duke na njohur me historinë që fshihet pas saj.
“Është fotografia e shtatë fëmijëve. Ishin fëmijë pesëvjeçarë por kishin fytyrën e një të rrituri.”
Por fotografi nuk u mjaftua me kaq. Kërshëria se ku ndodhen dhe çfarë bëjnë këta fëmijë të rritur tashmë, nis kërkimin.
“E dija që këtë fotografi e kisha bërë në Kelmend ku u gjenda në bordin e një helikopteri që ishte për një mision zviceran. Vajta të kërkoj këtë misionar dhe ai kishte një libër ku kishte mbajtur shënim të gjitha ngjarjet e ndodhura në vite. Ai më tregoi vendet që kemi vizituar në vitin 1993.”
Kupton që fotografia nuk është realizuar në Kelmend por në Dibër në vitin 1992, duke ia vështirësuar akoma më shumë punën kërkimore.
“Gjeta një mësuese dhe ajo më tha që njoh dikë, i cili ka kërkuar azil politik në Lil. Me mikun tim Fatos Lubonjën shkova ta takoj në Lil. Dhe ky djalë, që quhet Afrim, më tha që nuk është një nga fëmijët e fotografisë. Por ai mundi të më tregonte që është dikush që jeton në Skavicë për të më ndihmuar. Shkova ta kërkoj dhe e gjeta. Ai mundi të më tregonte se cilët ishin dhe ku mund t’i gjeja ata. Një e papritur më ndodhi kur isha në Skavicë. Mora një mesazh nga një person nga Londra që nuk e njihja, dhe më tha që në atë foto ai është i dyti majtas. Shkova në Londër dhe e takova Edon Menajn. I gjeta të shtatë. Disa jetojnë në Bathore, disa në Londër dhe Edoni është kthyer në Gjermani.”
Historia e kësaj fotografie dhe e kërkimit të shtatë fëmijëve e ka frymëzuar fotografin të realizojë filmin “Ku jeni ju” që shfaqet ditën e sotme për publikun shqiptar.
Diskutime rreth kësaj post