E kujt ia merrte mendja që largimi i Leo Mesit nga Barcelona do të quhej nga drejtuesit e klubit si fitore e madhe? Duket paradoksale por rrogat e larta të Mesit po e falimentonin Barçën, prandaj deklaratat se kjo ishte fitore kanë prapaskenë financiare.
Kështu, presidenti i Barcelonës ka folur sërish rreth largimit të Mesit nga klubi. I pari i klubi katalanas mbajti konferencë për media rreth situatës në të cilën ndodhet klubi. Tutje, ai tha se kanë marrë vendimin e duhur me largimin e Mesit, pasi nuk kishin mundësi tjera.
“Vullneti ynë ishte që Mesi të qëndrojë, por klubi është në këto situata (ekonomike). Nëse La Liga do të kishte qenë më fleksibile, do të mund ta mbanim. Ne kemi marrë vendimin e duhur me largimin e Mesit. E pashë të lumtur, e meriton”, – u shpreh Laporta.
Lionel Mesi është transferuar në Paris San Zhermen ku ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër. Ndonëse ishte shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me Barcelonën, gjithçka u prish në fund për shkak të La Ligas. Ylli argjentinas madje kishte pranuar ta përgjysmonte pagën, por që nuk kishte mjaftuar ta mbante atë në klubin ku fitoi gjithçka, duke u larguar pas 21 viteve. Ndërkohë, pa Lionel Mesin, por me tifozët në shkallët e “Camp Nou”-t, Barcelona e nisi sezonin e ri me një fitore bindëse 4-2 ndaj baskëve të Real Sociedad, ndërsa trajneri Ronald Kuman nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen e të tijve dhe u ndal edhe te dy golat e pësuar në harkun e pak minutave.
“Është gjithmonë mirë kur e nis sezonin me një fitore, pasi të shërben për moralin dhe mënyrën si do të përballosh ndeshjet e ardhshme. Ishte shumë e rëndësishme të tregonim një imazh të mirë dhe ia dolëm, duke fituar e duke luajtur mirë. Patëm pak minuta vështirësi me dy golat e Sociedad, pasi sepse pas golit të parë, erdhi ajo goditje dënimi perfekte, të cilën vetëm mund ta duartrokisje, por reagimi i skuadrës ishte mjaft i mirë dhe morëm një fitore të merituar”, – deklaroi Kuman.
Në mungesë të Lionel Mesit, liderin e bëri danezi Brejthuejte, i cili shënoi dy gola dhe asistoi një tjetër, megjithatë trajneri holandez shmangu komentet për individët dhe zbuloi se gjatë kësaj kohe skuadra ka punuar shumë për të përmirësuar lojën pa top.
“Brejthuejt bëri shumë mirë detyrën e tij, ashtu si të gjithë djemtë, pasi ishte një fitore grupi dhe nuk dua të veçoj askënd. Gjatë kësaj kohe kemi punuar shumë në lojën pa top, pasi e dimë që kur kemi topin në këmbë, jemi një skuadër shumë e mirë. Kemi rregulluar shumë mënyrën e organizimit të presingut, duke u angazhuar të gjithë bashkë, por kemi ende punë për të bërë, që të funksionojë gjithçka më së miri”, – tha tekniku i katalanasve.
Diskutime rreth kësaj post