Gjykata e Katanias në dosjen prej më shumë se 400 faqesh që vulosi fatin e Moisi Habilajt dhe bandës së tij, përmend edhe emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas gjykatësve dhe prokurorëve italianë, Habilaj përmend Tahirin si kushëririn e tij, si mbështetës të veprimtarisë në shkëmbim edhe të parave për fushatë.
Top Channel disponon dosjen me këto fragmente të përgjimeve të bëra nga autoritetet italiane.
Grupi i trafikantëve të arrestuar nga policia italiane për 3.5 tonë hashash ishte vënë prej kohësh nën pergjim. Moisi Habilaj, bashkëpunëtorët e tij shqiptarë dhe italianë kanë tashmë një dosje prej 416 faqesh me fakte dhe biseda të përgjuara, ku ata përmendin emra dhe para dhe që është baza e vendimit të Gjykatës së Katanias për burgosjen e tyre.
Pjesë e kësaj dosje është një përgjim i datës 16 dhjetor të vitit 2013 i një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, kur ata sipas vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve italianë, përmendin Ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri.
Hetuesit italianë bëjnë një përmbledhje të kësaj bisede.
“Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”, thonë hetuesit italianë.
Në përgjimin e datës 2 mars të vitit 2014 mes Habilajt dhe Çelajt përmendet automjeti me targë AA003GB, me të cilin të dy personat kanë udhëtuar drejt Siçilisë. Kjo makinë ishte në emër të Saimir Tahirit.
Emri i ministrit del gjithashtu edhe në një tjetër bisedë të përgjuar mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelës, ose Sabi.
“Mendo, veç borxheve që kemi, veç atyre që kemi marrë, kemi 75 mijë që janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ja çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë: 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”, thuhet aty.
Diskutime rreth kësaj post