Muhammed Aydogmus, pedagogu i Universitetit të Ankarasë, i akuzuar si terrorist nga Turqia, ka kërkuar azil politik në Shqipëri.
Tashmë ndalimi nga policia e Durrësit më 8 Tetor të shtetasit turk të shpallur në kërkim Muhammed Aydogmus nuk është vetëm një çështje rutinë e policisë dhe gjykatave shqiptare, por duket se po fut në tension marrëdhënien diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë. Pas arrestimit dhe lirimit nga gjykata e Durrësit Muhammed Aydogmus kërkon zyrtarisht mbrojtje nga shtetit shqiptar bashkë me familjen. Kjo kërkesë pritet tashmë të vendos në provë marrëdhëniet midis Edi Ramës dhe Rexhep Taip Erdogan.
Qeveria në dilemë për qendrimin mes turqve dhe amerikanëve. Nga njëra anë Ankaraja e akuzon Muhammed Aydogmus si pjesëtar i organizatës Gyleniste FETO dhe pjesëmarrës në grushtin e shtetit, duke kërkuar ekstradimin. Nga ana tjetër sapo është marrë vesh ndalimi në Durrës i profesorit turk ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm ndërkombëtarët të cilët I kanë kërkuar qeverisë shqiptare që të mos ta ekstradojë në Turqi.
Muhammed Aydogmus ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Turqia si pjestar i një organizate terroriste lidhur me Gylenin, por tashmë ai është kthyer në mollë sheri mes Shqipërisë dhe Turqisë, pasi Aydogmus ka kërkuar statusin e azilantit. “Shqiptarja.com” mëson se Aydogmus, është me profesion pedagog në Universitetin e Ankarasë dhe se rezulton të jetë larguar nga Turqia në drejtim të Kosovës dhe më pas ka hyrë në territorin Shqiptar, duke kaluar transit për të shkuar drejt Italisë.
Por pikërisht teksa po kryente procedurat e verifikimit të pasaportave të tij, gruas dhe dy fëmijëve të mitur, nga ana e policisë kufitare është konstatuar se pasaporta e tij ka qënë e falsifikuar. Kaq ka mjaftuar që policia të arrestojë pedagogun dhe materialet hetimore tia kalojë, prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme për dy akuza. Ndërkohë për këtë arrestim është njoftuar dhe ambasada Turke në Tiranë, e cila nëpërmjet rrugëve të saj ka filluar verifikimet për këtë person. Ka qenë pikërisht prokuroria e Durrësit që i është drejtuar me një kërkesë gjykatës së Durrësit, ku kërkonte ndaj pedagogut të arrestuar, masën e “arrestit në burg”.
Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura, por mësohet se Muhammed Aydogmus, ka kërkuar të lirohet nga qelia, duke i vënë në dispozicion gjykatës, shumën prej 1 mijë dollarë amerikanë si garanci pasurore. Kjo sasi financiare ka mjaftuar që gjykata të pranojë kërkesën e pedagogut të arrestuar, që konsiderohet si terrorist në Turqi, dhe të vendosë lirimin e tij.Çështja penale e hapur kundër tij, po vijon në gjendje të lirë. Mirëpo nuk kanë kaluar 24 orë nga lirimi i Muhammed Aydogmus nëpërmjet garancisë pasurore prej 1 mijë dollarë, policia e Durrësit, e ka riarrestuar sërisht, pasi nga verifikimet e kryera në sistemin e personave në kërkim, ka rezultuar se ai kërkohej nga drejtësia turke, si person i përfshirë dhe me lidhje me organizatën terroriste “Feto”.
Menjëherë policia ka përpiluar dokumentat me qëllim ekstradimin e tij, dhe sërisht dosja ka kaluar për vlerësim në prokurorinë e Durrësit. Një burim pranë prokurorisë i tha gazetës “Shqiptarja.com”, se për shtetasin turk kishin kërkuar fillimisht masën e arrestit 40 ditë në burg, masë sigurie kjo standarde që përdoret në të tilla arrestime për qëllime ekstradimi. Por burimet shtuan se çuditërisht, gjykata e Durrësit ka urdhëruar lirimin e tij, pasi siç mësohet Aydogmus ka paraqitur një kërkesë, duke pretenduar se kishte depozituar në autoritet Shqiptare, kërkesën për Azil Politik.
Këtë procedurë Muhammed Aydogmus e kishte bërë pasi ishte liruar herën e parë nga gjykata. E ndodhur në këto kushte, pas lirimit të dytë të pedagogut Aydogmos, prokuroria e Durrësit duke respektuar dhe konventën ndërkombëtare të emigracionit, ka urdhëruar që familja e tij të streohet në kampin e azilkërkuesve në zonën e Babroit në Tiranë.
Pikërisht në këtë vend kjo familje do qëndrojë deri në momentin e sqarimit dhe shqyrtimit të kërkesës së saj për të marrë ose jo statusin e azilantit në Shqipëri.Tashmë çështja e pedagogut Muhammed Aydogmus, ka hyrë në një spirale tjetër, pasi pranimi i kërkesës së tij nga Shqipëria për ti dhënë statusin e azilantit, do të sillte acarimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, por dhe marëveshjes strategjike Rama-Erdogan. Burimet shtuan se pedagogu vijon të qëndrojë në Shqipëri, ndërkohë që çështja kundër tij për akuzën e pasaportës së falsifikuar dhe kalim të paligjshëm kufiri, vijon të jetë e hapur në prokurori.
Mediat Turke: Aydohmus po drekon në Shqipëri
Ndalimi shtetasit turk Muhammed Aydogmus në Shqipëri ka gjetur jehonë në mediat ndërkombëtare dhe në veçanti ato turke. Mediat turke kanë publikuar këtë foto ku pretendohet se Aydogmus është duke darkuar në Shqipëri me disa përfaques të rrymës gyleniste në Tiranë.Sakaq Qendra për Liri në Stokholm thotë se Turqia edhe në këtë rast është duke abuzuar me mekanizmin e Interpolit.
Diskutime rreth kësaj post