Gulen, myslimanëve: Jo terror në emër të fesë
Dijetari mysliman dhe mendimtari Fetullah Gulen, në një shkrim të botuar në prestigjiozen franceze “Le Monde” ka theksuar edhe njëherë se terrori dhe feja nuk kanë asgjë të përbashkët dhe se janë shumë larg njëra-tjetrës.
Gjatë komentit për ngjarjet e fundit terroriste në Paris, Gulen deklaron se teologët dhe myslimanët e zakonshëm duhet të dënojnë me forcë te gjitha aktet barbare të kryera në emër të fesë.
Duke mos mbetur vetëm me kaq, dijetari mysliman shkruan se duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë mes udhëheqësve fetarë, autoriteteve shtetërore dhe aktorëve të shoqërise civile që të luftohen dhe kundërshtohen me forcë rekrutimet terroriste.
Gulen i bën thirrje të gjithë myslimanëve të japin kontributin e tyre në riparimin e imazhit të njollosur të fesë islame dhe njëkohësisht t’i bashkohen pjesës tjetër të botës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Në shkrimin e botuar në “Le Monde”, Gulen del kundër tezës së përplasjes së qytetërimeve dhe thekson se ripërsëritja e kësaj retorike i shërben vetëm përpjekjeve rekrutuese të rrjeteve terroriste.
Sipas tij, situata aktuale nuk është një përplasje e qytetërimeve, por përplasje e humanizmit me barbarinë në qytetërimin tonë të përbashkët.
Gulen i bën thirrje të gjithë myslimanëve që të rishqyrtojnë në mënyrë kritike të kuptuarit, të jetuarit dhe të praktikuarit të Islamit.
Fethullah Gulen, dijetari islamik, i cili prej shumë vitesh jeton në SHBA, është lideri i lëvizjes Hizmet, që promovon arsimin dhe mbështet demokracinë dhe dialogun ndërfetar.
“Le Monde” shkruan se më parë Gulen ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të politikave demokratike të ish-kryeministrit, aktualisht presidentit turk, Erdogan.
Por pas publikimit të skandaleve të fundit të korruspionit në nivelet e larta të qeverisë turke, Gulen është kthyer një nga kundërshtarët më të mëdhenj të tij.
Diskutime rreth kësaj post