Kryeministri, Edi Rama, mori pjesë këtë të mërkurë në aktivitetin e zhvilluar në Tepelenë për prezantimin e Lumit Vjosa si Park Kombëtar.
Rama u prit me këngë nga grupi polifonik i Tepelenës, i cili i dedikoi kryeministrit një këngë.
“Kryeministri i Shqipërisë si dhuratë e perëndisë. Ti je burr që s’do reklama”, janë disa nga vargjet e këngës për kryeministrin.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se shpallja e Vjosës si Park Kombëtar është një moment i jashtëzakonshëm dhe historik për vendin tonë, pasi një vendim i tillë ishte sfidues dhe i vështirë për t’u arritur.
Rama shprehu ambicien për të shtuar sipërfaqen e mbrojtur të Shqipërisë, në 30 për qind.
“Sot, Shqipëria ka 21 për qind të territorit zonë të mbrojtur. Çdo vit, kemi rritur sipërfaqen dhe objektivi ynë është ta çojmë në 30 për qind”.
Dy ditë më parë qeveria shpalli Park Kombëtar, lumin Vjosa, që është lumi i fundit i egër në Evropë. Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së ekzekutivit shqiptar më 13 mars dhe u bë publik nga ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar nënkupton se nuk do të lejohet asnjë ndërtim që cenon luimin, përfshirë këtu edhe hidrocentralet që kanë shkaktuar debat në madh në Shqipëri, por kanë sjellë edhe reagimin e disa organizatave ndërkombëtare.
Në janar të këtij viti, lumi Vjosa mori statusin Park Natyror. Nisja e ndërtimit të disa hidrocentraleve në lumin e Vjosës alarmoi shumë ambientalistë vendas dhe të huaj, të cilët nisën një fushatë për mbrojtjen e këtij lumi.
Më herët kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka deklaruar se “shpallja si Park Kombëtar do të pasurojë brezat që do të trashëgojnë Vjosën në një mënyrë që është një rrugë e re e pashkelur në Evropë”.
Ai gjithashtu ka deklaruar se Qeveria ka anuluar planet e saj të ndërtimit për tetë hidrocentrale në Vjosë dhe degët e saj që do të prodhonin energji elektrike.
Sipas ambientalistëve, digat do të kishin shkaktuar dëme serioze në lumë.Lumi Vjosa, i gjatë 270 kilometra, rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.
Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitati për 1.100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes. Vjosa gjithashtu ka vlerë ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60.000 shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.
Diskutime rreth kësaj post