Anëtari i Kryesisë së PD-së, Gent Malko ishte personi i cili lexoi ditën e djeshme në mbledhje kërkesat e grupit “anti-Basha”, të cilat u rrëzuan me një votim të hapur 14 me 11.
I ftuar në “Oranews”, Malko e cilësoi të kundraligjshme mbledhjen e djeshme, duke thënë se nëse votimit do të bëhet I fshehtë, atëherë zgjedhjet për kryetarin e PD-së do të ishin shtyrë dhe panorama do të ishte krejt ndryshe.
Por Gent Malko shkon më tutje, duke paralajmëruar se mundësia për të përçarë PD-në përmes krijimit të një partie të re, është një mundësi që nuk është lënë pa u diskutuar.
“Kemi marrë 11 vota, 14 kundër dhe gjithë pjesën tjetër abstenim. Nëse do kishte pasur votim të fshehtë të gjithë votat që abstenuan do ishin pro. Po tentohet drejt farsës, kështu si po shkon kjo punë Basha e ka nxjerrë rezultatin në tavolinë. Më vjen keq për Selamin se po hyn në një garë pa asnjë standard.
Një nga skenaret mund të jetë dhe çarja e partisë dhe krijimi i një partie të re. Mund të ndodhë. Por është hipotezë. Ka vetëm një mekanizëm për të unifikuar partinë: Hap garë të ndershme, lërju kohë kandidatëve që do të futen në garë. Nuk jemi me asnjë kandidat ne, ky grup që flas unë.”-tha Gent Malko.
Malko është shprehur se ka qenë njëri ndër mbështetësit e Bashës, por pas disfatës së 25 qershorit, qëndrimi I tij për largimin e Bashës, ka qenë parimor.
“Unë nuk kam qenë një nga njerëzit që kanë pretenduar për të qenë deputet pavarësisht se kam qenë një ndër njerëzit e afërt të Bashës dhe për shkak të pozicionit dhe marrëdhënieve personale që kam pasur me të. Kam qenë një ndër mbështetësit e Bashës që nga fillimi. Pas humbjes së 25 qershorit, një humbje që do shënohet në historinë e PD si pikë kulmore dhe do analizohet më vonë, qëndrimi ishte parimor.Një qëndrim i menduar mirë.
Basha duhet të jepte dorëheqjen, nëse do konkuronte më apo jo për kryetar partie ishte zgjedhje personale e tij. Nëse analiza që do të bëhet mbrapa do të kishte qenë e pranueshme ne mund të kishim qenë dhe mbështetës sërish të Bashës. Basha nuk dha dorëheqjen dhe në mënyrë groteske gjeti një term që thotë ngriva funksionet. Nuk është e parashikuar në statut, në kuptimin faktik nuk ka kuptim sa kohë nuk del nga zyra, përdor automjetet e partisë, telefonin e partisë, në funksion të qëllimeve për të kandiduar.”– ka deklaruar anëtari i kryesisë së PD-së.
Diskutime rreth kësaj post