Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për tetë persona nga Fieri, të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike, duke vepruar si një grup i strukturuar kriminal. Këta persona u arrestuan pak ditë më parë nga policia e Fierit.
Hetimet për këtë grup kanë nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që nga qershori i këtij viti, pasi një prej të arrestuarve, Meto Skënderaj dyshohet se siguronte sasi lënde narkotike, në bashkëpunim me Leo Tafa dhe Mehmet Skënderaj. Më pas ai i magazinonte ato duke i përpunuar e tharë me qëllim shitjen jashtë territorit shqiptar.
Këto veprime i ka kryer në banesën e shtetasit Mehmet Skënderaj, ne fshatin, Ninesh, Komuna Fratar/Mallakaster, i cili ka vënë në dispozicion banesën e tij. Për të realizuar këtë atij i është dashur edhe ndihma e Ardit Tafa, Dorian Tafa, Eglantin Tafa dhe Miklovan Kuka dhe Artan Skëndaj, si dhe ndihma e shtetaseve J.M dhe T.GJ.
Në kontrollin që policia bëri në banesën e Mehmet Skënderaj, në tre dhoma të banesës gjeti grumbuj sasish bimësh narkotike në gjendje të tharë, dhe në proçes tharjeje, si dhe nëpër tavane të dhomave gjeti degaëza bimësh narkotike në proçes tharjeje. Këtu u sekuestrua sasia prej 145 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva, dhe sasia prej 425 fara bime e dyshuar Cannabis Sattiva, që u gjet në një kuti plastike në formë të rrumbullakët, me peshë 26.70 gram.
Si organizatorë dyshohen Leo Tafa, Meto Skënderaj dhe Mehmet Skënderaj, ndërsa për ata të dyshuar si ‘punëtorë’ është kërkuar arrest me burg me afat 30 ditë, për Indrit Tafa, Dorian Tafa, Eglantin Tafa, Artan Skënderaj, Miklovan Tafa./TCH/
Diskutime rreth kësaj post