Kompanitë ajrore që operojnë drejt Italisë anuluan disa prej fluturimeve të planifikuar për ditën e djeshme, për shkak të një greve kombëtare të punonjësve në aeroportet italiane.
Anulime ka patur për fluturimet drejt Romës dhe drejt Veronës. Ndërkohë që, për këtë arsye ka patur edhe vonesa për fluturime të tjerë.
Ndërkaq, Autoriteti i Aviacionit Civil, i kontaktuar nga Tv Scan bën me dije se pasagjerët e këtyre destinacioneve nuk mund të përfitojnë subvencion, pasi anulimi ka ardhur si pasojë e grevës së aeroporteve, çka shkarkon përgjegjësitë e kompanive.
Sipas AAC, këto kompani duhet të riplanifikojnë udhëtimet brenda 24 orëve dhe për këtë arsye i bën apel të gjithë pasagjerëve që të kontrollojnë adresat zyrtare të kompanive ajrore dhe aeroporteve, për informacione të hollësishme se kur do të rifillojnë fluturimet drejt Italisë dhe për çdo rast të kontaktojnë me kompanitë përkatëse, në mënyrë që mos të gjejnë veten të bllokuar në Aeroporte.
Greva e aeroporteve italiane nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 18:00, ndërkohë që operimet normale të fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza drejt Italisë, rifilluan në orën 17.00.
Diskutime rreth kësaj post