Me anë të një deklarate për shtyp në faqen zyrtare të saj, Ministria e Jashtme greke ka reaguar ashpër ndaj projektit të rindërtimit të sheshit kryesor të Tiranës, të cilin ajo e quan një projekt me karakter irredentist.
“Ne dënojmë vendosjen në sheshin kryesor të rinovuar të Tiranës, të gurëve që vijnë nga zona të ndryshme të Ballkanit, duke përfshirë edhe zonën greke të Filatit”, thuhet në deklaratë.
“Këto gurë, në të cilët janë gdhendur emrat e zonave të prejardhjes së tyre, kompozojnë atë vepër që simbolizon ‘bashkimin e trojeve shqiptare’, dhe është e qartë pse bëhet fjalë: për një veprim qeveritar që kultivon dhe fsheh irredentizmin”.
“Kjo është një tjetër sfidë nga Qeveria shqiptare, e cila minon marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”.
“Nëpërmjet kësaj praktike, – vazhdon deklarata, – provohet mbështettja e tendencave kryesore kundër vendeve fqinje të Shqipërisë, pasi përmenden në mënyrë specifike emrat e disa zonave të shteteve të ndryshme të Ballkanit”.
“Ministria e Jashtme greke ka bërë dhe po bën të gjitha veprimet e nevojshme, duke informuar miqtë, partnerët dhe organizatat ndërkombëtare. E duke respektuar procesin zgjedhor në shtetin fqinj, nuk kemi dorëzuar deri tani asnjë njoftim publik, që mund të keqkuptohej dhe të keqinterpretohej si ndërhyrje në procesin zgjedhor”.
“Kjo nuk do të thotë se ajo do të tolerojë sjelljet që janë në kundërshtim me frymën europiane të bashkëjetesës paqësore dhe të bashkëpunimit, duke u shkelur në mënyrë flagrante parimet themelore të respektimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, si një nga kushtet kryesore për kursin europian të Tiranës”.
“Për fat të keq, ende qëndrime të rrezikshme dhe të vjetëruara të shekullit të kaluar minojnë progresin dhe prosperitetin e rajonit, e krijojnë një barrierë të gurtë ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë”, përfundon deklarata.
Diskutime rreth kësaj post