Zgjerimi i 12 miljeve në detin Jon është projektligji i parë i që do të miratohet nga Parlamenti grek në sesionin e ri. Prej disa javësh zgjerimi në det i Greqisë ka qenë një temë e nxehtë me plotë debate, madje deri në alarme lufte nga ana e Turqisë.
Më 25 dhjetor Athina mori vendimin e zgjerimit me 6 deri në 12 milje në detin Jon, ndërsa në këtë fillimviti projektligji do miratohet në Parlamentin grek. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta “To Vima”, e cila duke iu referuar burimeve qeveritare thekson se projektligji në fjalë është një mesazh i qartë dhe i fuqishëm ndaj Ankarasë, por që vë dhe në vështirësi kryeministrin Rama përballë miqësisë me Erdogan. Ajo që ende nuk është sqaruar është nëse me fillimin e punimeve të Parlamentit në 11 janar, ky projektligj do të ratifikohet me procedurën urgjente. Ndonëse nga të tjerët ky duket si një vendim normal, Turqia nuk është aspak dakord me këtë.
Deri më tani është bërë e mundur që të mbizotërojë qetësia në marrëdhëniet greko-turke, pas një viti gjatë të cilit Greqia dhe Turqia sipas zyrtarëve europianë ishin në konflikte, Athina po përgatitet për nisjen e një dialogu me Ankaranë. Por pas këtij vendimi ujërat nuk duken aspak të qeta madje. Vetë mediat greke raportojnë se ky vendim i Parlamentit për zgjerimin sa më parë të kufijve detarë është një mesazh i drejtpërdrejtë për Turqinë. Sipas tyre, vendimi i Greqisë me Shqipërinë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të përcaktuar zonën e tyre detare është një mesazh i qartë për Turqinë se edhe Ankaraja dhe Athina mund të duhet të shkojnë në Hagë. Edhe këtu hyn pakënaqësia e Turqisë ndaj Shqipërisë.
“Fakti është se pas zgjerimit të zonës bregdetare greke në Jon, zona detare që duhet të ndahet midis Greqisë dhe Shqipërisë është shumë e vogël. Dhe Tirana tashmë ka rënë dakord me Athinën për ta referuar mosmarrëveshjen në Hagë. Duke pasur parasysh vendimin e Athinës për të referuar mosmarrëveshjen greko-turke në Hagë, marrëveshja e Greqisë me Shqipërinë për të apeluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një goditje e rëndë për Ankaranë”, shkruan gazeta greke.
Ndikimi në mardhëniet Shqipëri-Turqi
Vendimi i Greqisë për detin po vë në vështirësi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ky i fundit e cilësoi si një veprim normal zgjerimin e Greqisë, bazuar në rrugë ligjore, por pikërisht kjo deklaratë e tij nuk është e mirëpritur nga pala turke. Deklarata e kryeministrit bie ndesh me deklaratat nga autoritet turke. Nga ana tjetër Greqia dhe Shqipëria janë në rrugë të mbarë për shumë marrëveshje, çka e bën Ramën të gjendet mes dy rrugëve. Këtë gjë e kanë vënë në dukje edhe mediat greke. Sipas tyre, zyrtarët nga Ministria e Jashtme turke kanë mbetur të befasuar kur kanë lexuar pozicionin e kryeministrit shqiptar Edi Rama pas vendimit të Athinës për zgjerimin territorial në Jon në 12 milje detare.
“Megjithëse një aleat dhe mik i Erdoganit, kryeministri shqiptar ka folur në favor të së drejtës së Greqisë për të zgjeruar zonën e saj bregdetare. A është kjo një taktikë e Ramës, i cili e sheh që Shqipëria nuk mund të presë ndihmë nga ekonomia turke dhe e konsideron integrimin në familjen europiane si rrugën e vetme, një perspektivë në të cilën ai nuk mund të ketë pritje pa ndihmën greke”, – shkruan gazeta greke “Protothema”.
Ndër të tjera ato raportojnë se, Turqia ka lobuar deri më tani që Shqipëria të mos bëjë lëshime ndaj Greqisë. Edhe pse prek në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërinë, zgjerimi i Greqisë në detin Jon është po ashtu një provë për të parë nëse mund të zgjerohet edhe në Egje. Mes përplasjeve disa mujore me Turqinë, ku nuk kanë munguar as mjetet luftarake, Athina ka vendosur të ndajë të gjithë kufijtë detarë, duke ia bërë fakt të kryer Shqipërisë zgjerimin e sovranitetit të saj.
Diskutime rreth kësaj post