Forcohen akoma dhe më tej dyshimet se diplomati amerikan Richard Grenell ka ardhur në Tiranë për të shpëtuar presidentin Ilir Meta. Gazeta shkroi një ditë më parë se si ai u prit nga një njeri i besuar i Metës, ndërsa dje është treguar se Grenell po shijon pushimet në vendin tonë në shoqërinë e personave të afërt me presidentin. Ditën e djeshme ai ka postuar në rrjetet sociale foto nga jugu dhe shihet në shoqërinë e Fatmir Hysenbelliut, djalit të biznesit Irfan Hysenbelliu. Ky i fundit njihet si mik i afërt i presidentit dhe foto e Grenell tregojnë qartë se kjo është një lëvizje taktike e presidentit. Grenell u akomodua fillimisht te resorit i biznesmenit në fjalë, ndërsa tashmë po pushon në jug ku shoqërohet nga djali i tij. Pra dyshimet janë se ai ka mbërritur në Tiranë me porosi të presidentit Ilir Meta. Ky i fundit ndodhet para një situatë tejet të vështirë.
Nga njëra anë ndodhet në proces shkarkimi dhe nga krahu tjetër ka krisje në raportet me amerikanët. Gjatë zgjedhjeve Meta doli nga kostumi zyrtar dhe kjo solli shkarkimin e tij nga Parlamenti. Në të njëjtën ditë kur ambasadorja amerikane e kërcënoi të tërhiqej nga sfurqet e sëpatat, kryeministri Rama paralajmëroi shkarkimin e tij. Kuvendi e përmbushi detyrën dhe tani Meta është në dorë të Kushtetueses. Nëse kjo e fundit e shkarkon, atëherë Meta del tërësisht nga politika. Ai maksimumi do marrë drejtimin e LSI, por nuk do ketë post politik në Kuvend e qeveri. Por kjo e bën dhe pre të lehtë ndaj drejtësisë. Për të shmangur këto, Meta duket se ka nisur lëvizjet në prapaskenë.
Presidenti duket qartë se po tenton të afrohet me mazhorancën dhe me amerikanët. Pak ditë më parë ishte këshilltari i tij juridik, ai i cili kërkoi që të ketë raporte korrekt mes qeverisë dhe presidenti. Madje ai dha sinjale se nuk do ketë asnjë problem në dekretimin e qeverisë së re. Nga ana tjetër Meta ka nisur të shpeshtojë qëndrimet proamerikane. Pas vizitës në SHBA të Metës, në Tiranë erdhi Grenell. Personin e parë që ai takoi ishte presidenti dhe madje e takoi në zyrën e tij. Grenell më parë nuk e lidhte asgjë me Shqipërinë, pasi ai ishte i dërguar i Trump për Kosovën e Serbinë. Po ashtu ai s’ka pasur asnjë kontakt më herët me Metën.
Vetë, në një intervistë Grenell tha se tashmë nuk merret me politikë, por është bërë pjesë e sektorit privat. Dyshimet janë se Meta po përdor Grenell për të lobuar në SHBA. Ambasadorja Kim u emërua këtu nga republikanët. Grenell po ashtu është me republikanët. Ndërkohë dihet historikisht se shumë ish-politikanë amerikanë ruajnë lidhjet politike me senatorë e kongresmenë dhe Meta duket se ka futur në mes Grenell si për të sheshuar konfliktet me ambasadën dhe SHBA, ashtu edhe për t’u afruar me kryeministrin. Mbetet të shihet sa do arrihet kjo, pasi Kushtetuesja ka marrë tashmë në dorë raportin për shkarkimin e tij dhe nëse shkarkohet, atëherë mund të ketë valë telashesh më pas.
Diskutime rreth kësaj post