“Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord për marrëveshjen e detit.” Kështu shprehen të sigurta mediat greke të cilat i bëjnë jehonë arritjes së një marrëveshje mes dy palëve, lidhur me kufirin detar me Greqinë që pritet të zgjerohet me 12 milje në ujërat tona.
Sipas asaj që shkruan “Energypress.gr”, Greqia do të nisë kërkimin e hidrokarbureve në bllokun detar 1 dhe 2 në Jon. Madje media greke thotë se tashmë pritet një deklaratë zyrtare e të dyja qeverive për të zyrtarizuar akordin e arritur.
Kujtojmë se blloqet 1 dhe 2 në detin Jon u tenderuan nga qeveria greke në korrik 2015. Në të njëjtën kohë pala shqiptare ka hequr dorë nga pretendimet apo ankesat në lidhje me shelfin kontinental të ishujve Othonoi dhe Erikoussa, i cili është i një rëndësie të veçantë në lidhje me kontestin greko-turk mbi Kastelorizon.
Gazeta thotë se historia e ndarjes së Zonave Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë ka kaluar në shumë debate, por pas marrëveshjes së arritur mes dy qeverive, kjo çështje konsiderohet e mbyllur njëherë e përgjithmonë.
“Informacionet ende te pakonfirmuara tregojnë se me marrëveshjen, pala greke pranon se përkufizimi i ‘EEZ’ deri më sot ka qenë pjesërisht metodologjikisht i pasaktë, një pikëpamje që Shqipëria ka mbështetur deri tani. Zyrtarë të qeverisë greke duket se janë optimist se problemet e së kaluarës, nga kundërshtimet e Shqipërisë ndaj aktivitetit grek për kërkimin e hidrokarbureve në rajon, nuk do të përsëriten më”. thuhet në shkrim
Diskutime rreth kësaj post