Ndonëse prej ditës së mërkurë në Aeroportin e Rinasit janë shtuar ndjeshëm masat pas sulmeve terroriste në Stamboll, disa persona kanë arritur të realizojnë një grabitje spektakolare.
Tre persona me armë e maska kaluan gjithë sistemet e sigurisë së Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe hynë deri në pistën e avionëve. Pasi rrëmbyen disa thasë me para që do të transferoheshin jashtë me avionë, jane larguar sërish për të mos u kapur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:45 të kësaj të enjte në kohën që në pistë ndodheshin disa avionë për t’u nisur. Sipas policisë, grabitësit kanë qenë të paktën tre persona dhe kanë prerë menteshat në një nga portat e rrethimit të jashtëm të aeroportit.
Më pas, ata kanë shkuar në këmbë deri pranë automjetit me para, ku nën kërcënimin e armëve rrëmbyen thasët dhe janë larguar sërish në këmbë nga e njëjta portë. Në rrugë i priste një automjet me të cilin janë larguar drejt Fushë-Prezës.
Policia nisi kërkimet nga ajri me helikopter dhe në një zonë të pyllëzuar gjeti një mjet tip Benz të djegur. Automjeti i përdorur për transportin e grabitësve rezulton të jetë i vjedhur që në muajin mars në qytetin e Pogradecit. Policia dyshon se grabitja është realizuar nga një grup i mirëorganizuar, të cilët kanë ndarë detyrat.
Reparti RENEA ndodhet në aksion në kërkim të grupit të grabitësve, ndërsa janë sekuestruar të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë.
Ndërkohë, janë shoqëruar punonjësit e kompanisë private të sigurisë që transportonte paratë. Gjithashtu nga policia thuhet se edhe siguria e rrethimit të Aeroportit menaxhohej nga një kompani private.
Diskutime rreth kësaj post