Regjistrohet grabitja e radhës, por këtë herë jo në një banesë të zakonshme. Grabitësit kanë zgjedhur të futen për një “kontroll”, në shtëpinë e deputetit socialist Namik Kopliku. Sipas informacioneve zyrtare të policisë së Tiranës, mësohet se autorët ende të paidentifikuar kanë shqyer bravën e derës së banesës së 57-vjeçarit, dhe prej aty kanë marrë disa sende me vlerë. Sipas policisë, hajdutët kanë marrë disa bizhuteri të deputetit Kopliku dhe bashkëshortes së tij. Kjo ngjarje është denoncuar ditën e martë nga vetë deputeti, i cili është njoftuar për atë çfarë kishte ndodhur nga disa të afërm të tij. Namik Kopliku, deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, jeton në një banesë në rrugën “Myslym Shyri”, bashkë me bashkëshorten e tij. Autorët mësohet të kenë marrë në banesë disa bizhuteri me vlerë, si dhe një sasi parash. Policia e kryeqytetit ka nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa ka mbledhur të gjitha provat e mundshme për identifikimin e autorëve.
Reagimi i Koplikut
Në një prononcim për gazën “Shekulli”, deputeti socialist ka dhënë detajet e ngjarjes që kishte ndodhur në banesën e tij, tek rruga “Myslym Shyri”, Kopliku është shprehur se ngjarja në fjalë mund të ketë ndodhur edhe dy apo tre ditë para se ai ta denonconte rastin. Por grabitja nuk është vënë re, pasi ai ndodhej në qytetin e Shkodrës, si pasojë e disa angazhimeve për festat e Nëntorit. Ai theksoi se ishte njoftuar nga nipi i tij për atë çfarë kishte ndodhur. “Unë nuk kam qenë në Tiranë kur ka ndodhur ngjarja. Mund të ketë ndodhur edhe 2-3 ditë para se të denoncoja. Kam qenë në qytetin e Shkodrës bashkë me bashkëshorten time, si pasojë e angazhimeve që kisha për festat e Nëntorit. Dje (të martën) jam njoftuar nga nipi im, që brava e derës hyrëse ishte e shkatërruar dhe se diçka kishte ndodhur në banesë. Kam ardhur në Tiranë dhe kam vënë re, se disa apo një person ka hyrë në shtëpi dhe ka marrë disa sende.
Fillimisht jemi shqetësuar për këtë gjë, pasi nuk ishim hasur ndonjëherë me të tilla ngjarje”, është shprehur ai. Ndërkohë, më tej ai thekson se grabitësit kanë mundur të marrin disa bizhuteri, të cilat nuk kapin ndonjë vlerë të madhe leku. Po ashtu, ai tregoi se hajdutët kanë mundur të gjejnë edhe një sasi të vogël parash që ai i mbante në shtëpi, për përdorim ditur. “Ata që kanë hyrë kanë mundur të marrin disa bizhuteri, të cilat nuk kapin një vlerë të madhe leku. Po ashtu kanë marrë edhe një sasi të vogël parash, që unë i mbaja për përdorim ditur. Pra, ata më shumë kanë bërë rrëmujë, kanë prishur orendi, se kanë mundur të vjedhin. Shtëpinë me thënë të drejtën e kishin kthyer përmbys, që më erdhi shumë keq”, thotë Namik Kopliku. Me tej ai shton: “E denoncova këtë rast, jo për ato çfarë kishin marrë, por më tepër për atë çfarë më panë sytë në brendësi të shtëpisë. Autorët duhet të kapen dhe të japin llogari për shkatërrimin që kishin bërë, jo për ato çfarë kanë marrë”.
Hetimet
Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se menjëherë pas denoncimit të bërë nga deputeti socialist, kanë nisur hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Grabitja dyshohet të jetë kryer nga dy persona, orët e vona të natës, apo herët në mëngjes. Sipas policisë, grabitësit që janë futur në banesën e deputetit, dyshohet të kenë pasur dijeni mbi lëvizjet e këtij të fundit. Ata kanë mundur të futen në banesë, pa rënë në sytë e fqinjëve të Namik Koplikut. Ndërkohë, burimet thonë që nuk përjashtohet mundësia që grabitja mund të jetë kryer edhe nga këta të fundit. Për këtë arsye, policia thotë se do të bëhet këqyrja e disa kamerave të sigurisë së bizneseve aty pranë, nga ku do të dalin në pah lëvizjet e autorëve të grabitjes. Për këtë ngjarje, mësohet të jetë ngritur edhe një grup hetimor nga ana e prokurorisë së Tiranës, e cila ka mbledhur të gjitha provat e mundshme në vendin ku ka ndodhur grabitja.
Policia
Lidhur me ngjarjen policia ka marrë dëshmitë e fqinjëve të deputetit socialist. Mësohet se ata janë pyetur për detaje të mëtejshme, të cilat do të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjes. Por, burimet bënë të ditur se ata nuk kanë dhënë ndonjë detaj që mund të ndihmojë për zbardhjen e vjedhjes. Ata kanë thënë para oficerëve të policisë, që nuk kanë mundur të dëgjojnë asnjë zhurmë momentin kur grabitësit kanë hyrë në banesë. Si dhe nuk ishin në dijeni, që deputeti ndodhej jashtë qytetit të Tiranës. Vijon puna për të dokumentuar ngjarjen. “Më datë 29.11.2016, në rrugën “Myslym Shyri”, kanë vjedhur banesën e shtetasit N. K., 57 vjeç, ku kanë marrë disa bizhuteri. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së kryeqytetit.
Diskutime rreth kësaj post