Nga Kliti Topalli
Çezarit duhet t’i japësh atë që është e Çezarit. Kryeministri Edi Rama dhe qeveria kanë lënë vend për lumë kritikash e të sharash, por duhet t’u japim hakun për menaxhimin e situatës pas tërmetit. Lëkundjet e 26 shtatorit, përveçse lanë dhjetra të vdekur dhe qindra të plagosur, ishin dhe një sfidë për qeverinë.
Një vend që nuk është përballur me të tilla katastrofa gjatë 30 viteve demokraci, sigurisht që do e kishte të vështirë. Ka shumë nga ata që kanë nxjerrë në pah mjaft probleme dhe shumica qëndrojnë, pasi u duk qartë se mungonte logjistika gjatë operacioneve të kërkim shpëtimit dhe disa gjëra mund të ishin bërë ndryshe. Por sa i takon sjelljes më pas, Çezarit duhet t’i japësh atë që i takon. Kryeministri Edi Rama e mori në dorë situatën. Unë personalisht nuk kam asnjë bindje politike, por nga një vëzhgim i situatës nga jashtë, kjo gjendje duket se po merr shumë vëmendje nga qeveria. Mëngjesin e 26 nëntorit Rama ishte në mesin e banorëve të prekur nga tërmeti dhe qëndroi aty derisa u mbyllën operacionet e kërkimit.
Vërtet një punë të madhe bënë grupet e dërguara nga partnerët, por Zvicra, Izraeli, Italia, Greqia apo Turqia sollën ekipet e tyre falë reagimit në kohë të qeverisë. Kryeministri pati telefonata me shumë homologë dhe gjeti dakordësinë e tyre për të ndihmuar. Falë kësaj asistence u shpëtuan dhjetra jetë. Për t’u vlerësuar është dhe reagimi për ata që mbetën jashtë. Të gjithë janë strehuar në hotele, banesa sociale apo në çadra. Bashkitë po garantojnë pagesë qeraje deri në një vit, duke u dhënë kohë të prekurve nga tërmeti që të rregullojnë banesat e tyre. Bashkëpunimi me organizatat e bamirësisë sigurisht që ishte një gjetje. Duhet ta pranojmë se buxheti që ka shteti ynë nuk e përballon një katastrofë të kësaj natyre dhe sigurisht që nuk ishte turp fakti që sytë u kthyen te donacionet. Ulja në një tryezë me emra si Elvis Naçi dhe Arbër Hajdari sigurisht që meriton vlerësim. Ka shumë që janë skeptikë mbi menaxhimin fondeve, por sido që të jetë, janë miliona e miliona para që janë dhuruar për të ndihmuar të pastrehët. Hapja e portalit në e-Albania ishte tjetër arritje që po ndihmon sadopak në mbledhjen e donacioneve. Për të mos thënë për vizitat e shefit të qeverisë në samitin e NATO, Itali apo në Turqi. Erdogan do të ndërtojë 500 banesa dhe nuk është pak. Një rol të madh në përballimin e situatës kanë sigurisht dhe biznesmenët. Vërtet qeveria kritikohet nga opozita se favorizon disa prej tyre (që kreu i opozitës preferon t’i quajë oligarkë), por vetëm 3 prej tyre kanë dhënë rreth 5 milionë euro.
Normalisht shtrohet pyetja: Nëse do ishte Basha në krye të qeverisë, atëherë kush do i vinte në mbështetje? Gjergj Luca kishte të drejtë në qëndrimet e tij, pasi politika sërish sytë i ktheu te biznesmenët dhe asnjë politikan nuk doli të vinte shtëpinë e tij në shërbim të të pastrehëve. A duhej bërë më shumë? Sigurisht që e mira nuk ka fund. Padyshim që shteti duhej të jetë i përgatitur për raste emergjencash. Normalisht jo të ngrihej gjithë qeveria në këmbë pas profecive të Ilir Metës, pasi jam i sigurt se edhe presidenti u çudit që më 26 nëntor ra tërmet. Realisht, vërtet qeveria ka pafund probleme, që nga PPP-të, te emërimet nepotike apo ekonomia, por në këtë rast situata u menaxhua. Ajo që e konfirmon këtë janë sjellja e opozitës dhe e presidentit. Sikur qeveria të kishte gabuar sado pak, të jemi të sigurt se Basha, Berisha dhe Meta do kishin vënë kujën. Askush nuk flet prej tyre. Presidenti del me propozime hartash dhe kërkon studime, por kryeministri mori pas vetes një inxhiniere si Luljeta Bozo, e cila rrëzoi të gjitha teoritë dhe foli hapur ashtu siç është realiteti.
Të gjithë i mbajnë mend përmbytjet e Shkodrës. Ishin përmbytje të paralajmëruar dhe çdo vit kishte kaos, imagjino të ishte një situatë si tani. Në situata të tilla populli ka vërtet nevojë për kurajo dhe forcë dhe sigurisht që kjo vjen nga liderët politikë. Metën të gjithë e njohin, ndërsa Basha ende nuk bind. Kjo ka bërë që Rama të jetë i privilegjuari i amerikanëve dhe menaxhimi i të tilla situatave janë gjithmonë plus për të. Nëse deri në fund kjo situatë menaxhohet si duhet, nuk është çudi që Ramën ta shohim në krye të qeverisë dhe në 2021.
Diskutime rreth kësaj post