Policia e Shtetit festoi mes kujtimesh dhe sfidash 110-vjetorin e krijimit, ku nuk janë të paktë njerëzit që meritojnë jehonë në këtë ditë, por në këtë përvjetor për rrjedhën që morën ngjarjet dhe historinë që mbart dhe trashëgon nuk kishte personazh më të mirë se Gledis Nano.
Ish-drejtori i policisë së shtetit që erdhi me bujë dhe u largua pas vetëm 10 muajsh në detyrë, në momentin e betimit, një nga fjalitë e tij ishte “Profesioni nuk ishte i zgjedhur si detyrë karriere, por profesion i frymëzuar nga babai im, ish-efektiv i policisë së shtetit”.
Por si kujtohet kjo ditëlindje e policisë në një familje që i kushton jetën këtij profesioni?
Si erdhi dhe u largua dhe çfarë po ndodh tani me Gledis Nanon?
Nano ishte njeriu që mori pjesë edhe në operacionin e shpëtimit të fëmijëve dhe grave shqiptare në kampin “Al Hol”.
Por, a ishte më e lehtë ishte të futeshe në kampin e ferrit sesa të drejtoje policinë shqiptare?
Intervista e plotë e Gledis Nanos:
Policia e shtetit feston 110 vjetorin! Në momentin e prezantimit si drejtor i policisë, ju keni thënë që jeni frymëzuar nga babai për të nisur këtë rrugë, çfarë do të thotë kjo ditë për ju dhe si ka ndikuar në familjen tuaj?
“Ju faleminderit që më sollët ndërmend një prej momenteve më të rëndësishme të jetës sime, atë kur mu besua detyra e Drejtuesit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në natyrën time është tepër e vështirë të ndash njeriun nga profesioni. Kjo më ndodh sepse asnjëherë nuk e kam ndjerë se më ka lidhur me policinë, vetëm orari i përcaktuar i funksionit në detyrë. Përkundrazi, familja ku jam rritur dhe ajo që ndërtova më pas, e kanë njohur e përjetuar në çdo kohë këtë ritual e ndjesi të përzier. Së pari me tim atë e më pas me mua.
Në përgjithësi etërit janë modele frymëzuese për bijtë e tyre. Figura që im atë ndërtoi përgjatë gjithë jetës së tij, kam kuptuar se ka ndikuar edhe në formimin tim, si njeri, si qytetar e më tej edhe si punonjës dhe drejtues policie. Gjithsesi, në mendjen e çdo njeriu baballarët apo edhe mësuesit, janë emblema të cilat sado të mundesh t’i prekësh apo edhe të përpiqesh t’i përngjash, janë dhe do të mbeten të paarritshëm. Mendoj se kam ende se çfarë të mësoj nga im atë”.
A jeni penduar që e keni zgjedhur këtë profesion?
“Kjo është një pyetje e cila, sa herë më përsillet në mendje, nuk mëtoj aspak t’i krijoj një vend apo hapësirë sado të vogël në ndërgjegjen time sepse është pikërisht profesioni që më ka përcjellë emocionet më të mëdha dhe nëpërmjet tij, pas çdo sfide e kam rifituar vetveten, më të mirë dhe më të fortë se më parë! Në fund të fundit, jeta për cilindo është një fushëbetejë të cilën do të duhet ta fitosh, e nëse rrethanat e sjellin që ndonjëherë të qëllon të jesh humbës, kurajoja drejt ringritjes është ajo që nuk lejon kurrë të ndihesh i mposhtur”.
A do jua rekomandonit fëmijëve tuaj, ashtu sikur babai ju frymëzoi ju?
“Në këtë pikë do të respektoja vendimin e tyre, ashtu si im atë dhe nëna ime më besuan dikur mua dhe më mbështetën në idenë time, ide e cila vit pas viti u shndërrua në mision”.
Si është jeta e një efektivi policie, kush janë vështirësitë më të mëdha?
“Jeta e një efektivi policie është gjithmonë e ndryshme nga jeta e çdo individi tjetër. Kjo sepse çdo punonjës policie e ka të lidhur pazgjidhshmërisht jetën e tij me atë të dikujt tjetër. Qetësia e tjetrit është edhe qetësia e tij, po ashtu edhe problematika e tjetrit bëhet problematika e punonjësit të policisë dhe në shumë raste edhe e familjeve të tyre. Vështirësia më e madhe qëndron në faktin se atij i mbetet fare pak kohë të kthej vështrimin nga vetvetja, nga familjarët apo edhe fëmijët e tij. Fati i tij është i destinuar të përndjekë në çdo kohë e moment, çdo dukuri negative apo kërcënuese që i avitet shoqërisë ku ai bën pjesë”.
Me çfarë po merreni tani pas largimit nga policia e shtetit?
“Kam vijuar itinerarin tim, me angazhime akademike, intelektuale por padyshim edhe me obligimet familjare, sidomos me fëmijët e mi, të cilëve për shumë vite, nuk iu kam dhënë gjithë kohën dhe vëmendjen që ata kërkonin nga unë, për shkak të funksioneve dhe detyrave që kam kryer. Ka gjithmonë një kohë për të vepruar, siç ka edhe një kohë për reflektim. Terreni preket gjithmonë nga erozioni, ashtu si edhe moti nga rituali i stinëve dhe çdokush, ashtu si edhe unë, duhet të jetë i vetëdijshëm dhe mëse i bindur, për vendin dhe rolin që e pret në këtë cikël evolutiv”.
A ishte më e vështirë të futeshe në kampin “Al Hol” apo të drejtoje policinë e shtetit?
“Kur isha fëmijë, ëndërroja dhe përpiqesha t’i përngjaja personazheve të filmave aksion apo komisarëve të policisë, të cilën në çdo moment përballeshin me rrezikun, me qëllim për t’i sjellë paqe dhe qëndrueshmëri shoqërisë. E ndoqa këtë ëndërr, duke marrë parasysh çdo sakrilegj e përkushtim, deri sa një ditë u shndërrova në njërin prej këtyre personazheve dhe kështu, të jetoja ëndrrën që thurra dikur, fshehtas në imagjinatën time”.
A keni një peng nga largimi si drejtues i policisë?
“Nëse do të rrija një çast apo një ditë më tepër në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e di fare mirë, që ai njeri apo ai grup individësh që shkelin ligjin apo abuzojnë me të drejtën dhe lirinë e dikujt tjetër, do të përjetonin një çast apo një ditë më tepër, peshën e pasigurisë. Dhe kështu do të vijonte dhe vetëm kështu mund të ishte”.
Diskutime rreth kësaj post