Nga Mustafa Nano
Lexojini mirë këta emra: 1. Bashkim Dedja; 2. Vladimir Kristo; 3. Vitore Tusha; 4. Altina Xhoxhaj; 5. Fatmir Hoxha; 6. Gani Dizdari; 7. Besnik Imeraj; 8. Fatos Lulo. Janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Do duhej të ishin nëntë, por njëri, Sokol Berberi, dha dorëheqjen, ngaqë kandidoi për të shkuar në Gjykatën e Strasburgut, por edhe ngaqë kish lënë të kuptohej me kohë se nuk kish pse të qëndronte asnjë ditë më shumë se sa koha që i jepej prej mandatit kushtetues. Mandati i ka përfunduar edhe Vladimir Kristos, por ky as që e çon në mendje ta japë dorëheqjen. Përkundrazi, asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq aktiv si anëtar i Gjykatës Kushtetuese sa ka qenë këto kohë që e ka dhuratë prej “mandatit extra”. Ca ditë më parë, doli e na bëri atë që bëjnë gazetarët në këtë vend apo personazhe të tipit të Spartak Ngjelës, duke na kapur në befasi që të gjithëve me një si filipike kundër klasës politike.
Po jua rreshtoj edhe njëherë, sepse, sido që të vijë puna, do na duhet t’i mbajmë mend; ata (përsëris: sido që të vendosin pas përgjigjes që erdhi dy ditë më parë nga Venecia) do të mbeten në histori: 1. Bashkim Dedja; 2. Vladimir Kristo; 3. Vitore Tusha; 4. Altina Xhoxhaj; 5. Fatmir Hoxha; 6. Gani Dizdari; 7. Besnik Imeraj; 8. Fatos Lulo. Këtyre do t’u duhet të mblidhen për të vendosur nëse duhet të fillojë apo jo zbatimi i Reformës në Drejtësi. Në fakt, mund të ishin mbledhur menjëherë pas përgjigjes së Venecias, por nuk e kanë bërë. Venecia e ka kthyer përgjigjen, dhe këtë herë përgjigja nuk ishte në stilin “venedikas”, as mish as peshk, apo edhe mish, edhe peshk. Jo, këtë herë opinioni i Komisionit të Venecias ishte i qartë, më i qartë nuk mund të bëhej. Ishte mú si një ushtrim që mësuesja e fillores ua bën nxënësve te tabela me gogla. Dhe kanë pasur të drejtë që na kanë përcjellë një opinion të tillë. Të mësuar, me sa duket, me xanxat e me tinzaritë e politikës shqiptare, ata nuk kanë dashur t’i lënë alibi askujt. Nuk kuptohet në këto rrethana se çfarë presin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Përgjigjen që prisnin, e morën. Çështjen, për të cilën pritet që ata vetë të vendosin, e njohin në majë të gishtave, sepse situata është po ajo. Venecia thjesht u ka thënë: Ju përket juve të merrni një vendim. Merreni!
Por ata duhet të vendosin shpejt edhe për një arsye tjetër. Gjykata Kushtetuese nuk është një gjykatë e zakonshme. Ajo është një institucion nacional, që ka sigurisht natyrë juridike, si çdo gjykatë në botë, por nga ana tjetër, bazuar tek impakti i vendimeve të saj, bazuar edhe te thelbi i funksionit të vet të përcaktuar me kushtetutë (neni 124, pika 1: Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj), ajo është edhe një institucion politik. Si e tillë, në ndryshim nga gjykatat e tjera, ajo nuk mund të mos jetojë me pulsin e kombit, nuk mund të bëjë sikur ajo nuk ka lidhje me atë që ndodh jashtë mureve të “kullës së vet të fildishtë”, nuk mund të na thotë se ajo nuk ka pse të kondicionohet nga agjendat e nga emergjencat që shpiken në debatin publik e politik, nuk mund të na thotë se ajo nuk ka pse t’u vërë veshin zërave që e lidhin “po”-në e saj për reformën me fatin e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjykata Kushtetuese nuk mund të mos jetojë me shqetësimet nacionale. Në këtë kuptim, apeli më i parë që u bëhet atyre nga të gjithë është: mblidhuni menjëherë e vendosni! Çështja për të cilën jeni thirrur të vendosni nuk është nga ato që mund të zvarriten. Nuk ka asnjë arsye që të zvarritet. Duhet thënë kjo ngaqë po dëgjohen pëshpëritje se anëtarët e Gjykatës janë duke pritur datën 20 dhjetor, kur zakonisht fillojnë pushimet e fundvitit, në mënyrë që pastaj të kthehen në punë andej nga data pesë janar, në mënyrë që më tej t’i japin edhe ca kohë vetes sa për të çmpirë pak trurin e mpirë prej pushimeve të gjata. Do të ishte absurde nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të mblidhej para pushimeve të fundvitit. Do të ishte edhe e poshtër. Komisioni i Venecias, që vonesat i ka në stilin e vet (sepse nuk i interesojnë kushedi se sa emergjencat e vendeve të ndryshme), këtë herë na dha një përgjigje rrufe. Pse? Sepse anëtarët e atij Komisioni kanë krijuar bindjen që nevoja e shqiptarëve për ta nisur këtë reformë është dramatike. Po anëtarët e Gjykatës sonë Kushtetuese, që janë shqiptarë, e që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, pse u dashka ta marrin më avash se anëtarët e Komisionit të Venecias? Bah!
Është marrë vesh tanimë që në atë Gjykatë ka disa vullnete antireformë. Vendimi për pezullimin e Vettingut ishte shenjë që në atë Gjykatë ekzistojnë këto vullnete. Gjashtë anëtarët që u bënë shkak për zvarritjen e reformës dihet tanimë se kush janë: 1. Bashkim Dedja; 2. Vladimir Kristo; 3. Vitore Tusha; 4. Gani Dizdari; 5. Besnik Imeraj; 6. Fatos Lulo. Dy të tjerët që votuan kundër pezullimit të Vettingut janë: 1. Altina Xhoxhaj; 2. Fatmir Hoxha. Pse gjashtë të parët votuan në atë mënyrë? Nuk përjashtohet që ndonjëri prej të gjashtëve të ketë votuar in bona fide për pezullimin e Vettingut, të ketë votuar në përputhje me ndërgjegjen e vet profesionale, por ai/ata duhet ta dinë se, edhe nëse kanë votuar me këtë predispozitë pozitive, askush nuk i beson. Vota e tij/saj është regjistruar tanimë në librin e historisë si një votë antireformë. E jo vetëm kaq. Vota e tyre është interpretuar si një përpjekje për të mbrojtur veten. Janë të paktë ata që besojnë se mbi ta ka pasur presione të natyrës politike, sido që presionet politike kanë qenë gjëja më e kuptueshme në këtë moment (politikanët e trembur prej reformës nuk lënë rast pa demonstruar se frika u ka hyrë deri në palcë). Të shumtët, për të mos thënë të gjithë, besojnë se kjo votë për pezullimin e Vettingut ka qenë votë për të mbrojtur pasuri e bëma të tyret të fshehura, që reforma mund t’ua nxjerrë në shesh. Nuk po them se kjo është e vërtetë. Po them se të gjithë e kanë marrë për të vërtetë.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve – anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të sigurt që bëhet fjalë për shumicën dërrmuese – presin që ata të marrin një vendim, me anë të të cilit t’i hapet rruga reformës. Nëse marrin një vendim tjetër, një dreq e di se çfarë llogarish kanë bërë. I vetmi shpjegim që do mund të na jepnin pas një vendimi të tillë do të ishte se “janë bërë garantë të mbrojtjes së kushtetutës”. Mirëpo një fabul e tillë nuk do të besohej nga askush. Shqipëria është çdo gjë, por nuk është ende wonderlandi i Alices, ku njerëzit, përveçse duhet të besojnë se mund të kthehen në xhuxha, në karta bixhozi etj., duhet të besojnë edhe – kjo është gjëja më e pabesueshme – se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë na qenkan të vetmit që po i dalin zot Kushtetutës, të cilën duan ta shkelin gjithë të tjerët, anëtarët e Kuvendit, të gjitha institucionet e vendit, ekspertët e huaj që janë marrë me reformën, anëtarët e Komisionit të Venecias, Komisioni europian, ambasadorët e huaj, udhëheqësit e vendeve të ndryshme të Europës.
Dhe meqë ra fjala, edhe në wonderlandin e Alices, në kapitullin e fundit, flitet për një Gjykatë supreme, që të bën gjëmën. Anëtarëve të kësaj gjykate Alice (Liza, në versionin shqiptar) u tha: “Kush pyet për ju? Ju nuk jeni asgjë më shumë se sa ca letra bixhozi”.
Diskutime rreth kësaj post