Vetëm pak ditë pasi shorti elektronik i gjykatës së Apelit Tiranë, përzgjodhi Shkëlqim Mustafa si gjyqtarin për të gjykuar kërkesën e apelimit të Izet Haxhisë, mësohet se Mustafa ka vendosur të dorëhiqet nga gjykimi i kësaj çështje.
Vendimi i dorëheqjes shoqëruar me argumentat për të mos gjykuar dosjen, është depozituar tek kryetari i gjykatës së Apelit, i cili pritet të pranojë këtë kërkesë të gjyqtarit Mustafa. Në fakt vendimi i Shkëlqim Mustafës për të hequr dorë nga gjykimi në Apel i kërkesës së Izet Haxhisë, që kërkon rrëzimin e dënimit me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, është mëse i drejtë dhe i motivuar dhe ligjërisht.
Kjo për shkak se Mustafa, gjykon me treshe gjykuese, ku në përbërje të saj, është anëtare dhe gjyqtarja Fatmira Hajdari. Kjo gjyqtare është gruaja e ish-deputetit të ndjerë Azem Hajdari, për vrasjen e të cilit Izet Haxhia është dënuar me 25 vjet burg në mungesë nga Drejtësia Shqiptare. Nisur në këto kushte, ku në përbërje të kësaj treshe gjykuese është anëtare dhe gruaja e viktimës, atëherë kjo treshe gjyqtarësh ligjërisht nuk mund të gjykojë kërkesën e Izet Haxhisë, që pretendon për pafajësinë e tij në Apel. Kjo pasi edhe nëse gjyqtarët nuk japin dorëheqjen, ka shumë gjasa që përjashtimi i tyre qysh në fillim të çeljes së procesit të gjykimit, avokati i Izet Haxhisë,do kërkojë largimin e gjyqtarëve. Por pas miratimit të dorëheqjes së gjyqtarit Mustafa, çështja e Izet Haxhisë, pritet të rihidhet në short elektronik, ku shorti do zgjedhë gjyqtarë të tjerë.
Ka shumë mundësi që pjesa më e madhe e gjyqtarëve të Apelit Tiranë mund të dorëhiqen, gjë e cila do të detyrojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për të komanduar tre gjyqtarë nga rrethet, me qëllim gjykimin e kësaj çështje. Izet Haxhia pretendon se nuk ka qënë në dijeni të dënimit të tij dhe të zhvillimit të procesit hetimor dhe gjyqësor në Shqipërisë, duke argumentuar se s’ka pasur mundësi të mbrohej nga një avokat mbrojtës.
Haxhia pak muaj më parë u ekstradua nga Turqia, ku strehohej prej disa vitesh. Sapo ka mbëritur në Tiranë, ai ka kërkuar rihapjen e çështjes, duke bërë një kërkesë për rivendosje në afat. Gjyqtari Besnik Hoxha, pranoi kërkesën e tij, duke i dhënë të drejtë për të apeluar vendimin e dënimit me 25 vite burgim. Në kërkesën për rihapjen e procesit përpos Sali Berishës, Haxhia kërkoi të thirren një listë e gjatë dëshmitarësh, mes tyre politikanë, gazetarë dhe personazhe publike të asaj kohe, ku bien në sy emri i ish-kryeministrit Fatos Nano, Arben Rakipi, Ardian Visha, ish-deputetja Jozefina Topalli, asokohe nënkryetare e PD, ish-ministrin e Brendshëm Petro Koçi, etj.
Lista prej 44 emrash ka në përbërje të saj edhe personazhe të njohur të kohës, që janë edhe sot aktivë në jetën publike dhe politike. Po ashtu Izet Haxhia kërkon që të rihapen kërkimet edhe për gjetjen e autorëve të tjerë të dyshuar për vrasjen e Azem Hajdarit, zbardhjen e tabulateve telefonike të personave që kanë interes për këtë çështje, bllokun e shënimeve të ish-ministrit të Brendshëm, Perikli Teta./shqiptarja.com/
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/gjykon-me-gruan-e-azem-hajdarit-gjyqtari-dorehiqet-nga-dosja-izet-haxhia-559373/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
Diskutime rreth kësaj post