Gjykata vendosi sot masën ‘arrest me burg’ për Fatosh Myslymin, ndërsa për dy vëllezërit e tjerë Elmaz dhe Myslym Myslymi është vendosur “masa arrest në shtëpi”. Tre vëllezërit dhunuan fizikisht dhe verbalisht gjyqtarin Arqile Basho brenda ambienteve të gjykatës së Vlorës, pas një vendimi për pronat.
Ata kanë hedhur akuza në drejtim të gjykatësit duke pretenduar se po i grabit pronën dhe se sipas tyre vendimi i gjykatësit është dhënë kundër tyre. Sot ka reaguar edhe vajza e njërit prej tyre, që ishte edhe ish kandidate e LSI për deputete në Vlorë.
Sipas Griselda Myslymit, gjyqtari Basho ka dhënë një vendim nën dyshime korrupsioni, duke dalë edhe mbi gjykatën e apelit që më herët kishte vendosur në favorin e tyre. Ish-kandidatja e LSI shprehet se familja e saj është në gjyqe prej disa vitesh, pasi firmat që iu kanë marrë truallin për ndërtimin e pallateve, kanë dalë nga kontrata, dhe kanë shitur dy herë hyrjet që iu takonin atyre.
Deklarata e Myslymit:
“Jam vajza e një prej vëllezërve të arrestuar, problematika jonë fillon nga 2010, ku kemi lidhur kontrata me dy kompani.
Problematika jonë nuk lidhet vetëm me pronën në fjalë, pronat janë shitur në disa pronarë të ndryshëm, prej vitesh jemi endur nëpër gjyqe, në 2019 Gjykata e Apelit na ka dhënë të drejtë, zoti Basho ka dalë mbi vendimin e apelit, duke i dhënë të drejtë këtyre kompanive.
Jam e gatshme që kjo çështje të ndiqet nga SPAK, unë mendoj se gjyqtari është duke bërë korrupsion, ne kemi qenë pronar të truallit, firma nuk ka si të shesë hyrjet tona, që janë të caktuara në kontratë. Ky është rast flagrant i korrupsionit që është bërë nga ky gjyqtar”, u shpreh ish-kandidatja për deputete.
Diskutime rreth kësaj post