Gjykata e Apelit Tiranë, vendosi mbrëmjen e sotme të dërgojë në rigjykim në Shkallë të Parë çështjen për drejtimin e Partisë Demokratike.
Gjykata pranoi kështu një prej pretendimeve të grupimit Alibeaj, që kishte kërkuar ose vendim për rrëzimin vendimit të Shkallës së Parë, ose rikthim për rigjykim.
Ndërkohë, grupimi Berisha kishte kërkuar që të mos legjitimohej ankimi i bërë nga Enkelejd Alibeaj.
Endrit Sefa, avokati i palës së Alibeajt, tha se të hënën, PD do të regjistrohet në KQZ. “PD ka organet legjitime të saj. Palët duhet të reflektojnë”, tha ai.
Oerd Bylykbashi, tha se vendimi ishte marrë nën presionin e Edi Ramës.
“Është vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet, tha ai. Është një vendim i cili haptazi ka thyer çdo rregull që ka vendosur deri më sot legjislatori dhe jurisprudenca, duke pranuar ankimin e një grupimi që i ka shërbyer Edi Ramës që Shqipëria të mos ketë opozitës”, tha ai.
Rekursi në Gjykatën e Lartë
Kundër këtij vendimi, të Gjykatës së Apelit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Gjykata e Lartë ka dy rrugë ose rrëzon vendimin dhe e detyron Apelin që të marrë një vendim ose ta pranojë verdiktin e sotëm që e kalon në shkallën e parë në pikën zero.
Në të dyja opsionet vula e PD-së i mbetet Enkelejd Alibeajt, pasi çfarë do vendimi që të marrë Gjykata e Lartë nuk mund të shprehet përpara datës 6 mars kur duhet të dorëzohen kandidatët për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Meta “Kingmaker” i opozitës
Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit, Sali Berisha ngeli jashtë zgjedhjeve dhe pa logo duke përsëritur 6 Marsin e vitit të kaluar. Gjithçka tashmë ndodhet në dorë të Ilir Metës.
Ai u regjistrua një ditë më parë në KQZ dhe brenda 10 ditëve do të duhet të dorëzojë emrat e koalicionit opozitar.
E njëjta skemë si “Shtëpia e Lirisë” vitin e kaluar. Në këto rrethana, ish-presidenti kthehet edhe njëherë në rolin e “Kingmaker”-it.
Apeli i “dorëzoi” fitoren Ramës
Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit, Edi Rama nuk ka më opozitë dhe shkon i qetë drejt zgjedhjeve lokale ku rivali do të futet me dy kandidatë.
Përçarje totale që i jep një avantazh mjaft të thellë.
Përjashtuar bastionet kryesore, shanset që koalicioni Berisha-Meta të fitojnë janë shumë të pakta.
Gjasat që grupi i Alibeajt të marrë ndonjë bashki janë thuajse zero, referuar rezultatit të 6 marsit të vitit të kaluar, që ishin një provë e fortë.
Shpresa e Berishës
Ish-kryeministri Sali Berisha, ka shpresë tashmë te zgjedhjet parlamentare të 2025.
Brenda dy viteve që kanë mbetur ai beson që të jetë zgjidhur dilema e vulës që tashmë është rikthyer në shkallën e parë.
Por deri atëherë në skenën politike mund të ndodhë gjithçka që mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve.
Diskutime rreth kësaj post