Dhoma penale e Gjykatës së Tiranës ka përballuar gjatë këtij viti një numër prej 4.910 çështjesh në gjykim, numër ky pak më i vogël se ai i vitit 2015, që shënoi 5.700 çështje të gjykuara.
Çështjet që kanë regjistruar numrin më të madh të proceseve gjyqësore gjatë këtij viti janë ato të vjedhjes, dhunës në familje, drejtimit të mjetit të mënyrë të parregullt dhe ndërtimi i paligjshëm.
Më konkretisht, veprat penale për dhunën në familje kanë shënuar një rritje të numrit të proceseve gjatë vitit 2016, kur u shënuan 487 çështje, nga 389 që ka pasur një vit më parë. Kjo rritje me gati 100 procese nuk i dedikohet thjesht shtimit të rasteve të dhunës, por edhe shtimit të rasteve të denoncimit.
Një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë kanë pasur edhe proceset për veprën penale të vjedhjes. Ndërsa veprat penale të drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt dhe vjedhjes së energjisë elektrike, gjatë këtij viti kanë shënuar një ulje të ndjeshme të proceseve gjyqësore, që për rrjedhojë pasqyron një minimizim të këtij fenomeni, që në vitet e mëparshme ka qenë shqetësues.
Ndërtimet e paligjshme kanë ruajtur të njëjtin trend të rasteve dhe proceseve gjyqësore, me 110 të tilla, shifër kjo që ka qenë e njëjta edhe gjatë viti 2015.
Diskutime rreth kësaj post