Gjyqësori ka hedhur poshtë ende pa nisur zbatimin, planin e kryeministrit Edi Rama për të shtrirë aplikimin e TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në të gjitha bizneset e Shqipërisë.
Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e dhënë për padinë e Dhomës së Avokatëve të cilët kundërshtonin futjen e tyre në skemën e TVSH-së. Kështu, projekti për të futur të gjitha bizneset në sistemin e TVSH ka marrë goditjen e parë ligjore, ende pa u kthyer vetë dokument ligjor.
Avokatët thonë se vendimi mund të shfrytëzohet edhe nga bizneset e tjera e po ashtu, profesionistët e tjerë të lirë.
“Përtej faktit që Gjykata e Lartë është shprehur vetëm për avokatët edhe profesionet e tjera të lira që ndodhen në të njëjtën situatë, praktikisht nëse do ti drejtoheshin gjykatës do ta kenë fituar, sepse vendimi unifikues ka vlerë detyrues për të gjitha gjykatat e tjera, sepse pavarësisht se gjykata u vu në lëvizje nga avokatët ajo ka shqyrtuar çështjen ligjore të vendimit të Këshillit të Ministrave”, tha Jordan Daci, avokat.
Daci thotë se qeveria duhet të ketë parasysh këtë vendim gjykate kur të përgatisë paketën e re fiskale, në rast të kundërt, është rruga e hapur për të goditur qeverinë në Gjykatën Kushtetuese.
“Praktikisht vendimi i Gjykatës së Lartë që është i barabartë me efektet e një ligji i ka kufizuar qeverisë mundësinë e lëvizjes, sepse sipas Gjykatës së Lartë i vetmi autorizim që ka qeveria është të përcaktojë pragun minimal. Çka do të thotë që do të ishte përsëri e mjaftueshme për të bërë një kërkesë padi të re për ta goditur përsëri vendimin e Këshillit të Ministrave”, thotë Daci.
Më herët, z.Rama kishte deklaruar se “në funksion të luftës kundër informalitetit, ne do t’i fusim të gjitha subjektet, përfshirë dhe subjektet e biznesit të vogël, në regjimin e TVSH-së”.
Rama siguroi se taksa për biznesin e vogël do vazhdojë të jetë zero. Por, nga ana tjetër, – shtoi ai, “ne do t’i kërkojmë biznesit të vogël që të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit e duke e përfshirë në regjimin e TVSH-së do të mbyllim hapësirat për të gjithë ato biznese të mëdha që faktikisht nuk shkarkojnë TVSH-në”.
Diskutime rreth kësaj post