Zhvillimet që lidhen me shkatërrimin dhe arrestimin e të gjithë anëtarëve të organizatës kriminale të Habilajve zhvendosen në Shqipëri. Mësohet se gjatë ditëve të fundit kanë qëndruar në Tiranë dy oficerë të Guardia di Finanza të ardhur nga Cattania.
Dy oficerët e Guardia di Finanza kanë pasur në fokus të misionit të tyre grumbullimin e informacioneve shtesë kryesisht të pronave që lidhen me Habilajt të përftuara nga aktiviteti kriminal. Gjithashtu pjesë e misionit të tyre disa ditorë në Shqipëri ka qenë interesimi se çfarë rezultatesh kanë dhënë kërkimet në terren për kapjen e Florian dhe Artan Habilajt.
Burimet nuk japin detaje të tjera se më kë janë takuar dhe çfarë kanë kërkuar nga pala shqiptare dy oficerët e ardhur nga Katania. Ndërkohë që dy oficerët e Guardia di Finanza të Katanias ndodheshin në Shqipëri, policia shqiptare në terren ka sekuestruar të gjitha pronat e identifikuara si të Habiljave.
Mësohet se janë sekuestruar vila, shtëpi, makina dhe toka të identifikuar nën pronësinë e Moisi, Artan dhe Florian Habilaj. Sakaq mësohet se nën hetim janë vendosur edhe persona të tjerë të cilët dyshohet se janë përdorur nga Habilajt për të kamufluar pronat që i përkisnin atyre.
Disa prona dhe llogari bankare janë në proces verifikimi nga ekspertët e antidrogës dhe drejtorisë së pastrimit të parave. Kryesisht bëhet fjalë për prona që janë blerë nga Habilajt në bregdet si në Himarë, Dhërmi dhe Vlorë.
Oficerëve italianë të Guardia di Finanza i është thënë nga atuotoritet shqiptare se vijon kërkimi për kapjen e Florian dhe Artan Habilajt. Për Florian Habilajn ka dyshime se fshihet në fshatrat e Vlorës ndërsa i vëllai, Artani, mund të ketë dalë jashtë territorit të Shqipërisë.
Diskutime rreth kësaj post