Kërcënime, qen të vrarë dhe pemë të masakruara: Pyjet e Shqipërisë janë përfshirë nga një luftë e heshtur për ushqimin më të shtrenjtë në botë: tartufin, që në zonat ku e kërkojnë me ngulm, njihet ndryshe edhe si “ari i zi”.
Evgjeni Pano, një kërkuese tartufi, 28 vjeçare, niset çdo mëngjes me të shoqin për në malet e jugut të Shqipërisë bashkë me dy qentë e saj, Lajka dhe Bosi, të dy të stërvitur për të gjurmuar mrekullinë e rrallë të kuzhinës që e nxjerr me kujdes nga nëntoka.
Shumicën e tartufit, Pano ia shet tregtarëve të huaj nga Italia dhe Franca- dy vendet e origjinës së gatimit të, të një shijeje që vlerësohet nga njohësit më të mirë të ushqimit në botë.
Një jetë si ajo e Evgjenisë mund të tingëllojë idilike: Sasia e mbledhur gjatë një ditë, një kilogram i tartufit të zi mund të sjellë deri në 50 euro fitime. Tartufi i bardhë, një lloj i rrallë dhe më shumë i vlerësuar mund të shitet për deri 140 euro një kilogram.
Këto nuk janë pak në një vend ku rroga mesatare është nën 400 euro, dhe akoma më e ulët se kaq në zonat rurale të vendit.
Por kjo punë nuk është kaq e lehtë sa duket. Pano dhe të tjerë kërkues tartufi flasin për një luftë të vërtetë që zhvillohet në pyjet e Shqipërisë, me të fortë që rivalizojnë dhe shpesh sulmojnë pa mëshirë qentë e shtrenjtë të njëri tjetrit.
Pano kujton sesi një ditë, një grup burrash “e ndalën në rrugë dhe e kërcënuan” se nuk duhej të kërkonte më në një zonë toke që e kishin zaptuar si të tyren.
Ajo i denoncoi në polici dhe të nesërmen në mëngjes u kthye për t’i treguar se nuk do të “thyhej” aq lehtë nga një punë që ajo e përshkruan si “një pasion të thellë dhe emocionues”.
Por të tjerë kanë qenë të detyruar ta braktisin, si Besmir Lami, që i kalonte ditët duke kërkuar në Dajt, malin që ngrihet përkrah Tiranës. Gjithçka përfundoi tragjikisht vitin e kaluar, kur rivalët i helmuan dy qentë e tij.
“Më ndoqën, gjetën vendin ku kërkoja, dhe që të më detyronin të ikja, m’i vranë të dy qentë” thotë ai, ndërsa përpiqet të ndalë lotët me duart që i dridhen.
Mungesa e ligjeve ka vënë në rrezik pemët në Shqipëri, bashkë me to edhe tartufin, sepse shumë prej kërkuesve gërrmojnë me kazma apo bel, duke dëmtuar terrenin.
Tregtia e tartufit mori formë dhjetë vite më parë në Shqipëri, kur italianët erdhën të kërkojnë për kërpudhat në anën tjetër të Adriatikut.
Dikur ka pasur shumë, por sa vjen e bëhet më e vështirë për të gjetur tartuf, thotë Pano, që fajëson për këtë përdorimin e sëpatave që dëmtojnë rrënjët e pemëve aty ku rriten kërpudhat.
“Një pemë e tharë nuk prodhon më tartuf”, thotë ajo, duke shprehur kërkesën që autoritetet të shpërndajnë liçensa për kërkuesit e tartufit dhe të vënë nën kontroll tregtinë e kërpudhave.
“Në Shqipëri… tartufi as nuk kultivohet, as nuk mbrohet, dhe nuk ka masa mbrojtëse për të parandaluar dëmtimin e tyre” shpjegon i shoqi, Panajot Pano, 39 vjeç, që është kthyer në Shqipëri për të kërkuar tartuf, pas 20 vitesh që ka jetuar jashtë.
Në disa pjesë të vendit, si në Parkun Kombëtar të Karavastasë, në Divjakë, situata “është bërë një katastrofë për kërpudhat”, tregon Adrian Koçi, drejtori i Parkut.
Në qershor dy persona u shoqëruan në polici sepse përdornin sëpata për të kërkuar në pyll. Por duke qenë se nuk ka ligje që t’i dënojnë, të dy u liruan shumë shpejt.
“Edhe ne jemi të shqetësuar… por kur nuk ka ligje të qarta ne nuk kemi çfarë të bëjmë kundër kërkuesve të paskrupullt” thotë Agim Hoxha, një oficer i pyjores në Fier, pranë parkut të Karavastasë.
“Do ishte njësoj sikur t’i hyje në shtëpi dikujt, pa pasur mandat arresti” shton ai. Një tjetër inspektor mjedisi, Ylli Hoxha thotë se po punohet për të përgatitur ligjet për mbrojtjen e pyjeve nga kërkuesit e tartufit. Ndërkohë, tregu është në kaos, shpjegon 27 vjeçari Enea Ristani, që kërkon për kërpudha bashkë me të atin. N biznes kanë hyrë edhe të huaj thotë ai, si italianë, grekë, romunë, francezë. Sepse shumica e tartufit shkon për jashtë, zakonisht në Perëndim, atje ku e shesin dhjetë herë më shumë. Për të pasur më shumë fitim, Ristani dhe i ati kanë hapur një dyqan kërpudhash në Tiranë, me shpresën se do të arrijnë të ngacmojnë blerësit shqiptarë për një ushqim kaq të shtrenjtë si tartufi.
Tani kanë arritur të prodhojnë salcë kërpudhash, të grira apo edhe pije të prodhuara nga kërpudhat.
Diskutime rreth kësaj post