Nga Mero Baze
Aleati kryesor i Partisë Socialiste në qeveri, Ilir Meta, ka kërkuar një ridimensionim të marrëveshjes politike me Partinë Socialiste duke lënë të kuptohet se do të kërkojë postin e kryeministrit, ose do të preferojë të jetë kryetar i opozitës. Në intervistën e tij të fundit, në A1 Report, Meta theksoi se ka objektiv të jetë më shumë se kaq sa është në zgjedhjet e ardhëshme, nëse do të qëndrojë në këtë koalicion, ose do të preferonte më mirë të ishte kryetar i opozitës më të madhe në vend.
Deklarata e tij është kaluar në heshtje nga Partia Socialiste e cila ka marrë dhe sinjale të tjera të pretendimeve të LSI, për kryeministrin e ardhëshëm. Të paktën dy rivalët formalë të Metës në LSI, duket se janë në garë vetëm për të përsëritur këtë kërkesë. E gjithë kjo e bën të pasigurtë marrëveshjen e re të koalicionit pas pranverës së vitit të ardhshëm, dhe e lë të hapur vazhdimin e qeverisjes së deritanishme me konflikte dyshime dhe frymë të fortë mosbesimi mes palëve.
Por ajo që është dhe më e fortë tek deklarata e Ilir Metës është fakti se ai e konsideron rival të fortë Edi Ramën, por nuk e përfill fare ekzistencën e opozitës më të madhe në vend, Partinë Demokratike. Me një vetëbesim të deklaruar, Meta e konsideron skenën politike si një betejë mes PS dhe LSI dhe e konsideron qysh tani Partinë Demokratike një forcë të tretë politike. Pretendimi i tij se do të jetë ose kryeministër ose kryetar i opozitës nënkupton se PD është forcë e tretë në vend.
Ky është në të vërtetë një pretendim i fortë nga LSI, por dhe një dorashkë e hedhur për dy forcat kryesore politike që pretendojnë pushtetin, PS dhe PD.
Të dyja e kanë dëgjuar Ilir Metën dhe asnjëra nuk ka folur. Edi Rama nuk ka dëshirë të flasë, pasi bën sikur nuk e ka mendjen, ngaqë i ka votat rezervë për t’u mbrojtur nga një krizë e parakohshme. Ndërkohë koha është në favor të tij, pasi askush nuk pret të fusë vendin në zgjedhje, disa muaj para zgjedhjeve normale.
Nga ana tjetër Lulzim Basha është në një pozitë qesharake. Ai përveçse ka ditë që kërkon aleanca dhe bashkime të gjera nga poshtë dhe nga lart, në fakt sytë i ka nga Ilir Meta. Ai është i vetmi aleat i mundshëm që i jep shpresë se edhe mund të fitojë. Por pretendimi i Ilir Metës është i qartë. Kushdo që do t’i kërkojë atij aleancë, duhet t’i ofrojë postin e kryeministrit, përndryshe ai del i vetëm në zgjedhje dhe pretendon se nëse nuk fiton është forca kryesore opozitare.
Kjo e çon PD në skalionin e tretë në politikën shqiptare, ose e detyron ta dorëzojë pushtetin ende pa e marrë, duke i ofruar Metës postin e kryeministrit.
Ka shumë kritikë të Metës në këtë rast, që ja konsiderojnë këtë si një megallomani paraelektorale, por në fakt, ai është duke treguar se çfarë kërkon. Kërkon më shumë se kaq dhe më shumë se kaq për të dy palët, është të dorëzojnë kryeministrin.
Nëse nuk u pëlqen, kanë dhe një rrugë tjetër. Të ulen kokë më kokë të dy, Rama e Basha dhe t’i ofrojnë Presidentin që t’i lërë të qetë. Nëse nuk janë të qetë!
Diskutime rreth kësaj post