Ministria e Energjisë dhe Industrisë informon opinionin publik se ditën e djeshme datë 26 dhjetor, Ministri i Energjisë ka urdheruar ndalimin e menjëhershëm të injektimit të ujit teknologjik në puset e lokalizuara përreth fshatit Zharrës, dhe aktualisht janë ndaluar plotësisht operacionet e injektimit në këto puse.
Sot më datë 27 Dhjetor 2016, Kryeministri z. Edi Rama, me propozimin e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, ka urdhëruar “Ngritjen e grupit ndërministror të punës për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në zonën e fshatit Zharrës dhe për përcaktimin e masave që duhet të merren në varësi të shkaqeve të ndodhjes së fenomenit të lëkundjeve të tokës ”.
Në mbështetje të këtij urdhri: ky grup ndërministror pune do të vlerësojë situatën e krijuar nga lëkundjet e tokës në zonën e fshatit Zharrës, si dhe përcaktimin e masave që duhet të merren në varësi të shkaqeve të ndodhjes së fenomenit të lëkundjeve të tokës. Grupi i Punës do të drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe në përbërje të tij do të këtë anëtarë, përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë;- Ministria e Mjedisit dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Grupi ndërministror i punës do të asistohet e këshillohet nga ekspertë të fushave përkatëse të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Albpetrol sh.a, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), me qëllim:
– për të vlerësuar dhe përcaktuar masat që duhet të merren nga ana e operatorit që kryen aktivitet hidrokarbur në këtë vendburim, bazuar në rekomandimet e bëra nga IGJEUM-i në raportet përkatëse mujore;
– masat që duhet të merren nga Drejtorinë e Përgjithshme e Emergjencave Civile për përmirësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës, duke bërë edhe vlerësimin përkatëse;
– për të nisur bashkëbisedimin e përbashkët me përfaqësues të operatorit që kryen aktivitet hidrokarbur në këtë vendburim për sqarimin e situatës së krijuar dhe evidentimin e shkaqeve të lëkundjeve të tokës në zonën e Patos –Marinzës, ku kryhen aktivitete hidrokarbure.
– për të vlerësuar kërkesat e bëra nga IGJEUM në raportet mujore për të mundësuar përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në marrëveshjen e datës 21 janar 2016, që lidhet me monitorimin, vlerësimin dhe dokumentimin e vazhdueshëm të aktivitetit sizmik në vendburimin e Patos-Marinzës, ku kryhen aktivitete hidrokarbure sipas marrëveshjes hidrokarbure dhe licencës përkatëse, si dhe trajtimin e sugjerime të bëra nga ky monitorim;
– për të ndjekur të gjitha procedurat për të mundësuar angazhimin e ekspertëve të huaj për përcaktimin e shkaqeve të lëkundjeve të tokës në zonën e Patos –Marinzës, si dhe masa te tjera që do te vlerësohen të nevojshme .
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ngelet e angazhuar të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të adresuar shqetësimet e komunitetit në respekt të legjislacionit në fuqi.
Diskutime rreth kësaj post